Gjobitet fabrika e birrës, nuk paguante detyrimet e akcizës.

342

Një fabrikë birre në Kashar të Tiranës është ndëshkuar me një gjobë të rëndë për shkak se nuk ka paguar detyrimet e akcizës për produktin që tregtonte në kundërshtim me ligjin. Ministria e Financave bën të ditur se subjekti tregtar është ndërshkuar me një gjobë prej rreth 70 milionë lekësh të rinj, pasi është kapur në shkelje ligjore. Në vijim të luftës kudër informalitetit, kryeministria bën të ditur se fabrika në fjalë kishte 17.6 milionë lekë të papaguara, dhe veç gjobës iu bllokua edhe rreth 500000 litra birrë.

Hedhja për konsum nga ana e operatorit, e kësaj sasie birre, pa paguar detyrimet e akcizës, përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me 3 fishin e detyrimeve të akcizës që duheshin paguar, cilësohet mes të tjerash në njoftimin e ministrisë.

Nderkaq, Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj ka qenë vetë në terren, nga ku deklaroi se evidenca e 70 mln lekëve të cilat duhet të jenë të paguara nga subjekti, janë pjesë jo vetëm e detyrimit që ka subjekti kur nuk ka deklaruar akcizë për sasinë e birrës por edhe 3 fish gjobë.

Ne jemi në një subjekt, një pikë magazinë stokimi, Janë sekuestruar pothuajse 500 mijë litra birrë, të cilat nuk janë brenda regjimit fiskal. Kuptohet kjo pasohet me gjobë, e cila sot është trefish më e madhe dhe arrin në shifrën e 70 milionë lekëve të reja. Kjo për një sasi kaq të madhe pa akcizë në sektorin e birrës, është e patolerueshme. ne do të vijojmë të gjithë planin e aksionit për të gjithë pikat dhe magazinat fiskale, qoftë ato të stokimit, qoftë të tjera për të gjithë produktet e akcizës, jo vetëm pijet por edhe hidrokarburet dhe gazin, deklaroi Denaj.

Ajo tha se kjo shumë e konsiderueshme nuk justifikon asnjë model biznesi. Në momentin e dytë që evidentohet shkelja do të jetë 5-fish gjobë sikurse kodi doganor e parashikon dhe mbyllje të biznesit. Evidentoni të gjithë mallin tuaj, brenda regjimit fiskal në një kohë sa më optimale pasi ne nuk do të ndalemi dhe në muajin gusht-shtator, gjatë gjithë kohës dhe çdo magazinë fiskale do të kontrollohet, duke filluar nga ato më të mëdhatë tek më të voglat. Plani operacional do të vazhdojë dhe do të jetë i përpiktë në raportim në muajin gusht njësoj si në muajin korrik, apeloi ministrja Denaj.