Vijon rënia e fortë e euros

375

Euro vijon rënien e fortë në tregun tonë të këmbimit. Monedha europiane ka zbritur në 121.6 lekë, duke humbur rreth 1 lekë kundrejt muajit të kaluar. Ndërsa kundrejt fillimit të vitit, euro është zhvlerësuar me 3.9 lekë.

Dobësimi i euros në këtë periudhë është sezonal, për shkak të valutës që po sjellin turistët e huaj dhe emigrantët që po kalojnë pushimet në atdhe. Ndërsa faktorët e rënies afatgjatë vlerësohen tek prishja e balancave kërkesë-ofertë.

Në treg ka sasi të mëdha eurosh, që burojnë edhe nga kanalet informale, teksa kërkesa nga tregtarët dhe importuesit është e ulët, për shkak edhe të ngadalësimit të aktivitetit ekonomik në vend.

Euro e dobët penalizon të gjitha familjet që marrin remitanca, ata që kanë të ardhura në euro, eksportuesit dhe veçanërisht fasonistët, që të gjithë aktivitetin e kryejnë në këtë monedhë. Ndërsa përfitojnë kredimarësit në euro, tregtarët dhe importuesit, si dhe qeveria, që do të paguajë më pak për borxhin e jashtëm.