Biblioteka e Kongresit amerikan përmban koleksionin më të pasur në botë jashtë trojeve shqiptare me letra shqipe dhe mbi Shqipërinë.
Ky katalog me afro 30 mijë tituj, ndër të cilët libra, gazeta, pamflete e afishe, pasurohet çdo vit me 400-500 objekte të reja. Kohët e fundit biblioteka siguroi një kopje të numrit të parë të Taraboshit, gazetës së parë të përditshme të botuar në shqip brenda trojeve shqiptare.
Çfarë vendi mban Taraboshi në katalogun e letrave shqiptare? Përse interesohet Biblioteka e Kongresit për historikun e gazetarisë shqiptare? Si i zgjedh ky institucion objektet që përfshin në arkivin e tij? Gazetarja e Zërit të Amerikës, Ardita Dunellari ishte në Bibliotekën e Kongresit për të mësuar përgjigjet e këtyre pyetjeve.
Drejtori i Sektorit për Evropën në Bibliotekën e Kongresit shprehet entuziast për titullin e ri që iu shtua kohët e fundit katalogut të letrave evropiane:
Gazeta dëshmon rrënjët. Kur ke dokumente të tilla fillestare të ndezin kuriozitet më të madh për të mësuar më shumë për atë periudhë.
Biblioteka e Kongresit Amerikan ka në katalogun e saj disa nga gazetat më të hershme në shqip, nisma të komuniteteve emigrante, mes tyre edhe komunitetit shqiptaro-amerikan:
Këtu në Shtetet e Bashkuara, Bostoni kishte një ndër gazetat më të hershme në shqip. Gazeta Kombi në Boston filloi në vitin 1906.