U quajt investimi më i madh në qytet, shembet rruga pas 3 vitesh, automjeti bie brenda (FOTOT)

330

Investimi më i madh në qytetin e Beratit që përfundoi 3 vjet më parë,ka pësuar sot një dëmtim të madh në segmentin Polici-Stadiumi Tomorri. Rruga është çarë dhe është shembur në njërin krah,gjatë qarkullimit të automjeteve në rrugë.

Një automjet që ishte në ecje përgjatë këtij aksi,ka rënë në gropën e shembur në rrugë. Automjeti ka pësuar dëme materiale dhe fatmirësisht nuk ka pasur të lënduar në njerëz, ndërkohë që dëmtimi i rrugës në këtë segment ka vështirësuar mjaft qarkullimin e mjeteve në rrethrrotullimin e stadiumit.

Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar specialistë të Drejtorisë së Shërbimeve Publike në Bashkinë e Beratit,të cilët kanë rrethuar vendin dhe kanë pezulluar qarkullimin e mjeteve pranë rrugës së shembur.

Burime zyrtare pranë kësaj drejtorie deklarojnë se,do të punohet gjatë gjithë natës për riparimin e rrugës së shembur,që mendohet të përfundojë nesër në mesditë. Specialistët e kësaj drejtorie bëjnë me dije se,rruga ka shkarë dhe më pas është shembur për shkak të shembjes së njërit krah të murit mbajtës nëntokësor të kanalizimeve të ujërave të zeza.