Emigrimi / Profesionistët vazhdojnë të largohen nga Shqipëria

355

Kushtet e punës, pagat e ulëta dhe mungesa e perspektivës janë disa nga faktorët që i shtyjnë shqiptarët të emigrojnë. Sipas statistikave, në disa sektorë të ekonomisë dhe në disa profesione, si në shëndetësi call center rrobaqepësi këpucari ndërtim, etj, njerëzit janë më të prirë të migrojnë.

Këtu bëhet fjalë për punonjës, të cilët në Shqipëri kanë një specializim, që iu mundëson gjetjen më lehtë të një pune jashtë vendit, duke filluar nga zotërimi i një gjuhe të huaj, deri tek specializimi si mjekë apo infermierë, etj.

Sipas disa anketimeve të fundit, tek punonjësit e call center, që përgjithësisht janë me universitet ose vazhdojnë studimet dhe përgjithësisht zotërojnë një gjuhë të huaj, 85 përqind e të anketuarve pohuan se duan të ikin. Gjithashtu, këtë e pranojnë edhe 75 përqind e infermierëve, 56 përqind e punonjësve në sektorin e ndërtimit, 53 përqind e rrobaqepësve dhe 38 përqind e atyre që punojnë në fabrikat e këpucëve.

Si pasojë, aktualisht në vend industria fason, bujqësia dhe turizmi kanë filluar të vuajnë më së shumti mungesën e punonjësve. Por ankesa janë vërejtur në të gjithë sektorët sidomos në shërbimet publike të mjekësisë. Në vështirësi për punonjës janë edhe bizneset e fasonit në Shkodër, Durrës, Korçë, Librazhd apo Pukë. Mungesa e specialistëve shëndetësorë në vitet e fundit ka prekur edhe spitalet rajonale dhe qendrat universitare, për shkak të nivelit të lartë të emigracionit.

Jo rastësisht, në një strategji, që ende është në fazën e konsultimit publik, të përpunuar nga qeveria shqiptare, ndër të tjera thuhet se “në të ardhmen e afërt, Shqipëria, njësoj si shumë vende fqinje të BE-së, do të duhet të marrë në konsideratë ofrimin e skemave specifike për tërheqjen e profesionistëve të huaj dhe punëtorëve të kualifikuar në sektorët me kërkesë të lartë, përfshi këtu edhe kombinimin e lejes afatgjatë të qëndrimit dhe të punësimit.