Guljelm Radoja: Përse u shite miku im? Robert Ndrenika i kthehet me ironi.

390

Ndërkohë që në ambjentet e Teatrit Kombëtar vazhdojnë protestat, ata që nuk mund të jenë fizikisht përkrahin përmes thirrjeve në media apo rrjete sociale. Ditën e djeshme aktori i njohur Guljelm Radoja, tregoi se edhe pse jetonte në Durrës e s’mund të ishte gjithmonë i pranishëm, është gjithmonë në mbështetje të kauzës.

E kam thënë dhe më parë, ky vend nuk është i yni, ky vend është i juaji. Nuk do të fitojnë ata, do të fitojë qytetaria. Do të fitojë ai spektator, ai qytetar që e do artin. Turpi është i atyre që e bënë, këtë e tregon dhe vetë fakti që u zbythën.

Radoja u bëri thirrje artistëve që kauza e Teatrit të mos politizohet, edhe pse ishte pro mbështetjes së partive politike. Ai rrëfeu se ndonëse ka qenë një nga nismëtarët e krijimit të PD-së, zgjodhi rrugën e artit. “Duke e parë veten në pasqyrë, thashë se unë nuk jam për politikë. Bota ime shkon atje ku shkon, por nuk më pëlqen që ne të bëhemi kukull e cilësdo aleancë apo parti. Teatri është i depolitizuar, teatri është i qytetarëve. Nuk di shumë për paktin, por ai i gjati dhe ca të shkurtër të tjerë bënë atë që ne na përçanë dhe 90 për qind dolën të majtë dhe ca koka të djathë. Ia arritën qëllimit.

Për sa i përket natyrës së brishtë të artistëve, ndonjëherë edhe të manipulueshme, Radoja iu drejtua Ndrenikës për tërheqjen e tij të papritur nga kauza e Teatrit. Një nga kolegët e mi i tha dikujt se unë shkela mbi dinjitetin tim’. Pse shkele? A ka gjë më të madhe se dinjiteti? Secili prej nesh kur lan faqet në mëngjes shikon veten dhe thotë një fjalë: Çbëra dje?! Sa dinjtioz qeshë dje. Pse isha qesharak dje dhe lashë të shkelet mbi dinjitetin tim. Për çfarë? Përse u shite miku im?! Përse u shite kolegu im? Çfarë pakti bëre me djallin, që shkele mbi dinjitetin?, tha aktori.

Radoja iu drejtua kolegut të tij, i cili qe një nga nismëtarët dhe figurat simbol të mbrojtjes së Teatrit deri në ditët e fundit të korrikut. Asokohe, së bashku me kolegë si Arben Derhemi apo Alfred Trebicka, ranë dakord për ndërtimin e një teatri të ri, po në këtë hapësirë, me kushtin se nuk do të prekej asnjë centimetër tokë.

Lidhur me këtë deklaratë të aktorit, Ndrenika ka treguar për gazetën Panorama se kjo nuk është aspak e vërtetë dhe veç të tjerave shtoi se nuk është mirë me shëndetin.

Të më falni, por nuk jam mirë me shëndet. Nuk jam mirë. Unë kam bërë disa deklarata më parë, ja merrni ato. Sot e kishin shkruar në një gazetë njërën. Mendon se jam shitur?! Epo mirë, le të mendojë ashtu. Por a mund të më thotë se me se jam shitur?! E pra, kam marrë para. I thoni që kam marrë nja 200 mijë euro, thotë me ironi Ndrenika.

Aktori që në fillim ka mbajtur qëndrim pro prishjes së teatrit, pasi mendon se brezi i ri ka nevojë për një teatër të ri urgjentisht.