Duam teatër të ri, ikonat e artit shqiptar pro godinës së re moderne e bashkëkohore

429

kona të skenës teatrore dhe kinematografike shqiptare, Robert Ndrenika, Luftar Paja, Reshat Arbana, Pëllumb Kulla, Ndriccim Xhepa, Zamira Kita, Kastriot Çaushi, Alfred Trebicka e shumë të tjerë janë shprehur qartë në mbështetje të ndërtimit të një teatri të ri. Ndërsa sot disa artistë të angazhuar në Partinë Demokratike dhe drejtuesit më të lartë të kësaj force politike, duke nisur nga Lulzim Basha, Gazmend Bardhi, Çlirim Gjata, Edi Paloka, Klevis Balliu rinisën protestat kundër ndërtimit të teatrit të ri, zëri i aktorëve që kanë bërë histori në skenën e tij vjen më i fortë se kurë për domosdoshmërinë e një godine të re bashkëkohore që mundëson kushtet më të mira për aktorët dhe artadashësit.

Të nderuar zotërinj Arben Derhemi, Altin Basha dhe Alfred Trebicka. I nderuar Kryetar i Bashkisë zoti Erion Veliaj! Personalisht ju falenderoj për rezultatin e arritur! Ju sot shënuat fillimin e një maratone që le të shpresojmë do të përfundojë me ndërtimin e një Teatri Kombëtar bashkëkohor. Uroj që fryma e sinqeritetit, transparencës dhe mirëkuptimit midis jush, si përfaqësues të komunitetit teatror dhe Bashkisë, të jetë deri në ditën e përurimit e më tej. Përqafime!

Luftar Paja
Jam për Teatër të ri Kombëtar, me të gjitha përmasat që i takon një teatri nacional shqiptar. Ne si artistë kemi harruar gjërat kryesore dhe merremi me llaçin dhe tullat. Duhet të shtojmë forcat për llaçin dhe betonin artistik. Teatri Kombëtar e ka emrin Teatri Kombëtar dhe aty nuk duhet të vijnë vetëm ata që banojnë në Tiranë, por ata që e meritojnë të vijnë në teatër. Teatri është i gjithë Shqipërisë. Qëllimi im kryesor është që të ketë një teatër siç i takon Shqipërisë.

Reshat Arbana
Të bëhet një teatër i mirë dhe t’i lëmë ata aktorë të ushqejnë me emocione popullin. Të shohim teatër që të ngacmojë spektatorin në zemër.

Ndricim Xhepa
Duke pasur parasysh kondicionet në të cilat është ndërtuar kjo ndërtesë nga italianët, vitet që kanë kaluar mbi afatin e ekzistencës së saj, pra, trefishi i kohës, duhet prishur dhe duhet të ngrihet një godinë e re. Dhe vlerat e traditës së këtij institucioni për më shumë se 70 vjet, duhet të ruhen me fanatizëm nëpër arkiva të një teatri serioz sepse kam përshtypjen se nuk jemi aq të respektueshëm dhe dinjitozë në ruajtjen e vlerave të gjeneratave të kaluara, ashtu si ndodh në çdo institucion dinjitoz europian. Janë këto disa probleme, që unë i konstatoj prej shumë vitesh në institucionin ku punoj prej 37 vitesh.

Altin Basha
Qartë dhe shqip, unë mendoj se duhet një godinë e re. Pjesa muzeale mund të zgjidhet brenda godinës së re. Si regjisor, po ju deklaroj me përgjegjësi, se ajo godinë nuk ofron mundësinë për zhvillimin e një krijimtarie cilësore teatrore dhe, për rrjedhim, një cilësi të ulët produkti për spektatorët dhe qytetarët.

Drita Haxhiraj
Në atë godinë ruajmë kujtime të hidhura edhe të ëmbla. Godina është shumë e shtrenjtë për ne, është “Jerusalemi ynë”, siç ka thënë edhe Robert Ndrenika. Por duhet t’ju them se gjendja e saj fizike është e rëndë. Kur ne futeshim poshtë skenës për të kaluar në anën tjetër, atje kishte lagështirë dhe myk. Aty janë sëmurur shumë aktorë. Në vitet 1972-’73, Naim Frashëri, Violeta Manushi, Sulejman Pitarka diskutonin për të bërë një teatër të ri, sepse të gjithë po sëmureshin nga mushkëritë. Pjetër Gjoka u sëmur nga mushkëritë. Për mos t’ju thënë edhe të fundit, që për shkak të mushkërive është ndarë nga jeta kolegu dhe partneri që nga fëmijëria, Roland Trebicka. Vetë ata që e krijuan e ngritën si problem se duhet një teatër i ri. Ata donin vendin, territorin, por jo muret. Ky është amaneti i tyre! Ne jemi me ta, që teatri të bëhet i ri dhe modern, jo për të kaluar radhën apo për të përfituar ndonjë tjetër. Të jetë aty ku është, të ndërtohet bukur edhe t’u vlejë brezave të ardhshëm.

Bruno Shllaku
Më vjen mirë që gjithmonë gjërat e mira vazhdojnë sipas traditës klasike, të lindin me vështirësi. Kam parasysh për analogji momentin e parkut të Liqenit, kur u vërsulën i madh e i vogël me drurë e me shkopinj dhe mjete rrethanore për ta ndaluar të bëhej, dhe po ato njerëz vijnë dhe gjejnë qetësi dhe kënaqen, ndoshta – ndoshta edhe mburren në heshtje. Përsa i përket çështjes së Teatrit, më vjen keq se shumë nuk e dinë që është një godinë që i përket një stalle kuajsh, që Italia fashiste e ndërtoi për kapanon truprojesh. Ajo vërtetë që ka vlera, por do të marrë vlera më të mëdha kur të bëhet një godinë e re, bashkëkohore që t’i përkasë Teatrit të Tiranës, i cili shumë shpejt do të jetë në bashkëbrinj me qytete të mëdha të Europës. Reliket, figurat, objektet e suveniret e atij teatri, do të jenë në një seli të shenjtë si Teatri i Ri modern, që jam i bindur se do të ndërtohet. Jam dakord që Teatri i Ri të fillojë punën një orë e më parë dhe madje kam besim absolut te arkitekti që do vëjë dorë në teatër.

Niko Kanxheri
Teatri Kombëtar për mua duhet bërë i ri. Nostalgjia për dy godinat e ndërtuara për të qenë provizore, duhet të zhbëhet. Mua po ma ndërtojnë shtëpinë time moderne, të bukur, të mirë, komode dhe papritur unë nxjerr një arsyetim të ri, se çfarë duan ato kulla atje. Janë dy probleme që nuk qëndrojnë bashkë, brenda tyre është një justifikim. Godina në vetvete nuk sjell nostalgji, historia e Teatrit Kombëtar do të mbetet e dokumentuar me arkivën, fotot e shfaqjeve, dekoret, kostumet, muzikën etj. Ç’lidhje ka me mua kulla?!

Pëllumb Kulla
Për më shumë se 70 vjet ne nuk kemi patur një ndërtesë të përshtatshme për teatrin qendror. Mjafton të them se ajo ishte shumë larg me shoqet e saj të Europës, po se po, por ajo ishte edhe më e papërshtatshme edhe se disa teatro të vendit. Në atë kompleks të ngritur nga italianët, u bë jetëgjatë një dramaturgji, pjesa më e madhe e të cilës meriton të mos kujtohet më. Mendoj dhe shpresoj se edhe kjo, në korpusin e ri do të realizohet nëpërmjet veçimit të një pavijoni memorialistik, ku mund të ruhej edhe një maket i madh i godinës së teatrit të deritanishëm, ku mund të ekspozoheshin kostumet e paharruara, që nga ai i Hamletit të Shekspirit, Ezopit dhe Kleas të Figuereidos dhe deri tek ato të Halilit dhe Hajries të Kol Jakovës.

Në atë ambient muzeal mund të gjenden shfaqje të filmuara apo radiofonike, këndi i dramaturgëve, ai i regjisorëve dhe i skenografëve, makete dekoresh të qëlluara dhe plot elementë që do të plotësonin nevojat shpirtërore të atyre artistëve, që me ashk kërkuan muaj me radhë restaurimin e plotë të ndërtesës. Përshëndes atmosferën optimiste që po krijohet dhe mezi pres ditën kur problemet e teatrit do të fokusohen, jo më tek ndërtimi historik i korpusit teatror, që ndodh njëherë në mijëra vjet, por tek problemet e vërteta dhe të përditshme të teatrit kombëtar, të dramaturgjisë kombëtare. Uroj të jetë sa më i shpejtë fillimi i punimeve dhe qoftë e afërt dita kur të sakrifikohen ngrehinat e dy teatrove “ndërkombëtarë”, që t’i bëjnë vend ndërtesës së Teatrit Kombëtar të Shqipërisë

Genc Fuga
Jam pro ndërtimit të një teatri të ri, duke ruajtur territorin dhe ç’është më kryesorja, duke negociuar shumë fort për këtë pasuri, mbase jo të teatrit në vetvete, jo të ministrisë në vetvete, por këtë pasuri tonën. Do doja një teatër me teknologjinë e fundit të magjisë, mund të përmend podet pneumatikë, hapësira të tjera për lëvizjen e dekorit, teknika skenike që kanë evoluar e që patjetër, në kushtet aktuale, mendoj se po limitohen edhe regjisorët në shprehjen e figurave të tyre artistike. Një teatër i ri i përshtatshëm për teatër është kërkuar që në 1953. Teatri Kombëtar tani është një ndër skenat më të painvestuara. E vetmja teknologji bashkëkohore që mund të ketë skena e teatrit aktualisht është një rotativë, pra një shpikje që në 1800, e trashëguar nga operat. Xhepat skenikë nuk mjaftojnë, hapësirat mbrapa nuk mjaftojnë, janë bërë vetëm restaurime apo mballoma, por nuk është zgjidhur hapësira e përshtatshme për këtë gjë.

Ema Andrea
Unë do doja t’i përkisja sot, si Ema, brezit që po ndërton të ardhmen, pra të vihet një gur sot që mua të më përfaqësojë në 2220. Më pëlqen arkitektura e re, më pëlqejnë sfidat kontemporane. Jam për një teatër të ri, për më tepër kur thuhet se ka këto kushte, por tani meqë janë këto kushte dhe ne i dimë dhe po i themi hapur të gjitha kushtet, kush e mban përgjegjësinë?

Artan Imami
Shpreh dakordësinë dhe nevojën emergjente për një godine të re të Teatrit Kombëtar. Një godinë e cila t’u shërbejë artistëve dhe mbi të gjitha publikut, i cili edhe pse në kushte tërësisht të papërshtatshme, për asnjë moment nuk e ka braktisur skenën e teatrit. Teatri Kombëtar duhet të shfrytëzohet vetëm dhe vetëm për godinën e re të Teatrit Kombëtar, duke mos cenuar tjetërsimin e asnjë pjese të kësaj prone. Mua nuk më zë gjumi nga qejfi se do të bëhet një teatër i ri modern, në vend të këtyre pamjeve të tmerrshme që shohim me gjendjen aktuale. Më vjen ndër mend një takim i vitit ‘87 apo ‘88 me Ismail Kadarenë dhe ndërkohë që po bisedonim, dikush e pyeti se si duket niveli i teatrit. Ai ia kishte ngulur sytë në një qoshe të tavanit, ku po binte suvaja dhe thotë: Po ja, ashtu si kjo godinë.

Rajmonda Bulku

Aty duhet të ketë një teatër shumë të mirë, ç’më duhet mua se çfarë ndërtohet anës teatrit, apo mbi teatër. Në qiell le të ndërtohet, s’kam ndonjë gjë; unë dua të ndërtohet një teatër. Nuk ka rëndësi fare se çfarë. Godina e teatrit duhet shembur, pa dyshim. Ne po përjetojmë kushte mizerabël. Unë nuk e di se si punojmë aty, është turp të punosh aty. Tani që u gjet Turbina, shumë mirë, ajo sallë është për atë zonë, atë lagje dhe si ajo duhet të ndërtohet edhe një në Kombinat, edhe një në Laprakë, që padyshim është një lagje afër Tiranës. Unë do të dëshiroja që të ngrihet një Teatër i ri Kombëtar, me parametra të tjerë.

Zamira Kita

Godina aktuale nuk ka asnjë vlerë. Objektet, sendet, garderoba e aktorëve që kanë luajtur në atë skenë, të ruhen në teatrin e ri që do të ndërtohet, të krijohet një muzeum i vizitueshëm për të gjithë. Duke patur përvojën e Teatrit të Korçës, mendoj se duhet ndërtuar një teatër i ri nga themelet. Teatri Kombëtar ka një amortizim të plotë, nuk është aspak i përshtatshëm për të dhënë shfaqje, nuk është funksional, as komod. Sado që ta rikontruktojmë atë, nuk besoj se do bëhet një sallë e mirë, e përshtatshme. Unë jam për një teatër të ri. Pse jo, për një projekt si ai që kemi parë, një projekt modern, që të na mundësojë shumë ambiente në funksion të teatrit, siç kemi parë nëpër botë. Mendoj se debati është shfrytëzuar keq nga segmente politike.

m.v.Shqiptarja.com