Banorët e fshatit Qafzëzë protestë për shtëpitë e dëmtuara nga tërmeti

310

Protestë e banorëve të fshatit Qafzëzë para bashkisë Ersekë për riparimin e banesave të dëmtuara nga tërmeti i 1 qershorit.

Një grup banorësh nga Qafzëzi janë mbledhur të mërkurën para bashkisë të rrethit Kolonjë në shenjë proteste për mos mbajtjen e premtimit në ringritjen e shtëpive të tyre të dëmtuara.

Janë të paktën 14 banesa të shkatërruara nga goditjet e tërmetit në fshatin Qafzëzë të Kolonjës, për të cilat është deklaruar nga strukturat qeverisëse se do të ringrihen deri në muajin shtator.

Ndërsa janë strehuar përkohësisht në kushte emergjence, banorëve të Qafzëzit duket se u ka sosur durimi ngaqë nuk kanë filluar punimet për ndreqjen e dëmeve të shkaktuara prej tërmetit.

Kërkojmë që të na ngrihen banesat para se të na zerë dimri në këto anë. Ndihemi të haruar nga qeveria, dhe nuk kemi asnjë përgjigje për kërkesat tona. Do të përshkallëzojmë protestën edhe me bllokim të rrugës nacionale në rast se qeveria dhe organet e pushtetit lokal tregohen indiferente u shprehën banorët e Qafzëzit.

Realisht, ndërhyrja nga ana e shtetit për të riparuar pasojat e tërmetit të 1 qershorit në tre fshatrat më të goditura të Floqit, Qafzëzit dhe Vidohovës ende duket e vonuar.

Disa ditë më parë, fadromat u dërguan në fshatin Floq ku në prani të ministres Belinda Balluku dhe kreut të emergjencave civile Haki Çako u deklarua se nisi puna për ringritjen e banesave të prishura

Sipas të dhënave nga terreni, nuk ka punime intensive dhe konkrete që shtëpitë e shkatërruara në këto tre fshatra të riparohen sipas premtimit deri në muajin shtator

Bashki të shumta në rang vendi, biznese, fondacione dhe individë janë solidarizuar me dhënien e fondeve në ndihmë të fshatrave të gogitura më rëndë nga tërmeti në juglindje.

Nuk dihet se çfarë vështirësish pengojnë investimin e fondeve të grumbulluara për zbutjen e pasojave të tërmetit. Duke bërë që të nisë edhe protesta nga banorët e dëmtuar siç po ndodh me shprehjen e pakënaqsisë nga fshati Qafzëzë para bashkisë të Kolonjës.