Kush është vajza që u mbyt dje në kanionin e Holtës (Profil)

479

Ngjarja e rëndë me pasoja tragjike për jetën e 25-vjeçares nga Lushnja ditën e djeshme, mori vëmendjen e gjithë mediave në vend. E ndjera, Desantila Sollaku u rrëmbye nga rryma e fuqishme e ujit në kanionin e Holtës pasditen e djeshme dhe nuk arriti të shpëtonte dot.

Ajo jetonte në Savër të Lushnjes, ndërsa bashkë me familjen kishte vendosur që të kalonte një fundjavë ndryshe, pikërisht në kanionet e Holtës, një destinacion që ofron adrenalinë dhe një mënyrë tjetër argëtimi për të gjithë. Fakti që i vëllai i Desantilës ishte kthyer nga Gjermania, ishte shkaku pse familja vendosi që të udhëtonte drejt këtyre kanioneve për t’u argëtuar.

Mësohet gjithashtu se 25 vjeçarja kishte planifikuar që të udhëtonte drejt Gjermanisë për pak ditë ku do të ushtronte profesionin e saj si infermiere, pasi kishte përfunduar studimet për këtë degë në Shqipëri. Familja Sollaku ka dy vajza dhe një djalë.

Prindërit e vajzës merren me tregti në Savër, produkte ushqimore. Ngjarja e sotme është tragjedia e dytë në familjen Sollaku, pasi rreth dy vite më parë u hodh nga pallati duke u vetëvrarë gjyshi i vajzës që u mbyt dje në Holtë.