Meta refuzon emerimin e Gjinushit në krye të Akademisë së Shkencave

415

Presidenti Meta dekreton refuzimin e emërimit të akademikut Skënder Gjinushi si kryetar i Akademisë së Shkencave.
Presidenti Meta e ka arsyetuar këtë vendim fillimisht me faktin që Skënder Gjinushi rezulton ligjërisht të ketë mbajtur funksionin si Kryetar i Partisë Socialdemokrate deri më 06.06.2019 kur Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka vendosur ndryshimin e emrit të Kryetarit të kësaj force politike (PSD), për shkak të dorëheqjes së tij nga posti i Kryetarit.

Kjo sipas, kreut të shtetit, do të thotë që më 24 maj 2019, ditë e realizimit të procesit zgjedhor për Kryetar të Akademisë së Shkencave, zoti Skënder Gjinushi ligjërisht figuron në postin drejtues të Kryetarit të Partisë Social Demokrate.

Në zbardhjen e këtij vendimi të Metës, thuhet se sipas Kushtetutës, një anëtar i Akadëmisë së Shkencave nuk mund të ushtroje këtë detyre paralelisht me funksione drejtuese ne parti. E gjithë kjo situatë bën që procesi zgjedhor në Akademinë e Shkencave të jetë i pavlefshëm, shton Meta.

Rezulton se zoti Skënder Gjinushi ka mbajtur për një periudhe të gjatë paralelisht dy funksione, njëri politik si Kryetar i PSD, dhe tjetri si anëtar i rregullt i një institucioni shkencor. Kjo gjendje ka bashkekzistuar për një kohë të gjatë dhe ka vijuar në mënyrë të njëjtë në çastin e shprehjes së interesimit për kandidim për Kryetar të Akademisë së Shkencave më 10 maj 2019, por dhe në çastin e zhvillimit të zgjedhjeve dhe shpalljes fitues më 24 maj 2019.Statusi i anëtarit të rregullt të Akademisë së Shkencave nuk mund të ushtrohet paralelisht me kryerjen e funksioneve drejtuese të larta në parti politike.

Papajtueshmëria ligjore në ushtrimin e statusit si anëtar i rregull i Akademisë së Shkencave, e bën tërësisht procesin zgjedhor të pavlefshëm. Kjo, sepse çdo anëtar i rregullt i Akademisë së Shkencave që ka papajtushmëri të statusit si anëtar i rregullt i saj me funksione drejtuese në parti politike, rrjedhimisht është në kushtet e ndalimit ligjor për të kandiduar dhe për t’u zgjedhur në funksionet drejtuese të Akademisë së Shkencave ku përfshihet dhe funksioni i Kryetarit.

Kjo gjendje paligjshmërie, thotë më tej Ilir Meta, e bën të pamundur që Presidenti i Republikës të ushtrojë kompetencën e tij të parashikuar në nenin 92/g të Kushtetutës, për të emëruar Kryetarin e Akademisë së Shkencave.

Presidenti i Republikës nuk mundet të dekretojë emërimin e Kryetarit të Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë në kushtet kur procesi zgjedhor, i realizuar për këtë funksion, është kryer në shkelje të përcaktimeve të ligjit nr.9655/2006.Kushtetuta i ka dhënë një rol të veçantë Presidentit të Republikës që nuk mund të jetë kurrsesi formal për t’u shprehur bazuar vetëm mbi një kërkesë zyrtare të paraqitur.Kushtetutëbërësi i ka dhënë Presidentit të Republikës kompetenca për emërimin e Kryetarit të Akademisë së Shkencave, pikërisht për të garantuar zbatimin e paanshëm të parimit kushtetues të ndarjes e balancimit të pushteteve, me qëllim shmangien e çdo lloj ndikimi politik në këtë institucion, në mënyrë që të garantohet jo vetëm autonomia dhe liria akademike, por dhe respektimi i ligjit sipas frymës së Kushtetutës.

Për këtë arsye të vetme ligjore, Presidenti i Republikës ka vendosur refuzimin e emërimit të akademikut Skënder Gjinushi si Kryetar i Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë, përcjellë nga Sekretari Shkencor i Akademisë së Shkencave me shkresë nr.89/41 prot, datë 24.05.2019.