Basha mbledh kryebashkiakët e djathtë në selinë blu.

318

Kryedemokrati Lulzim Basha do të mbledhë sot në orën 16:00 të pasdites kolegjin e kryetarëve dhe kryebashkiakët në selinë blu.

Në takim pritet të diskutohet lidhur me aksionin opozitar dhe qëndrimin e kryebashkiakëve të djathtë pas rezultatit të zgjedhjeve të 30 qershorit.

Ditën e djeshme lideri demokrat ishte në Mallakastër nga ku deklaroi se kryebashkiaku, Agron Kapllanaj do të jetë kryetari legjitim i Mallakastrës deri në një proces të rregullt zgjedhor.

Në datë 3 korrik, Xhelal Mziu dhe Agron Kapllanaj thanë se nuk do t’i lirojnë zyrat të zgjedhurve të rinj socialistë nga 30 qershori dhe se duan të bëhen zgjedhje më 13 tetor.

Ndërsa tre ditë më parë, kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi përmes një letre drejtuar ambasadave në Shqipëri u ka kërkuar të ngrenë një përfaqësi ndërkombëtare për të qeverisur Shkodrën.

Voltana Ademi kërkoi që Shkodra, por edhe bashkitë e tjera të drejtohen nga një Komision Ndërkombëtar, si në vitet 1913-1914 derisa, sipas saj të shkohet në zgjedhje të vërteta.