Agron Duka Njerëzit po acarohen nga Rama

365

Kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka deklaroi në emisionin Open në Top Channel se nuk beson se ka tërheqje të kryeopozitarit Lulzim Basha nga qëndrimi kundër votimeve të 30 qershorit. Duke komentuar lajmet për një tërheqje të mundshme të Bashës pas takimeve me ambasadorët e SHBA dhe BE, Duka theksoi se opozita nuk ka mundësinë që të menaxhojë të gjithë qytetarët e zemëruar.
Ai akuzoi edhe kryeministrin Edi Rama se me retorikën që po përdor kundër opozitës, po i acaron edhe më shumë qytetarët.

Nuk besoj se ka tërheqje. Natyrisht që ndërkombëtarët kanë thënë që jemi kundra dhunës dhe për këtë nuk besoj se dyshon kush. Problemi është të diskutojmë për situatën, a e menaxhojmë dot ne në ditën e zgjedhjeve? Situata është shumë e nderë dhe nuk i shërben as retorika e Ramës.

Retorika e përdorur nga ai acaron njerëzit dhe nuk e qetëson situatën. Ka njerëz jashtë mase të ngarkuar nga ana psikologjike që këto zgjedhje i konsiderojnë të jashtëligjshme dhe në këto kushte është e vështirë t’i menaxhosh, tha Duka.

Sipas Dukës, për opozitën ishte e pamundur të hyntë në zgjedhjet lokale pasi do të merrte kryq nga bashkëpunimi i PS me bandat kriminale, duke iu referuar bandës së Avdylajve dhe dosjeve 339 dhe 184.