Bizneset paralajmërojnë grevë, luhatja e euros shkakton humbje të mëdha

204

Bizneset eksportuese nuk reshtin së ankuari lidhur me efektet negative që po shkakton zhvlerësimi i monedhës evropiane.

Nga data 1 korrik ata paralajmërojnë grevë një orëshe me synim që qeveria të kthejë vëmendjen ndaj këtij sektori. Këtë kërkesë bizneset e argumentojnë me faktin se nuk ka asnjë shpjegim bindës të zhvlerësim të monedhës evropiane dhe se sipas tyre, qeveria duhet të mbajë përgjegjësi për informalitetin e lartë.

Paralelisht me këtë fakt, në rast se institucionet nuk do të reagojnë, bizneset thonë se do të përshkallëzojnë qëndrimin e tyre, duke ulur pagat për punonjësit si dhe do të detyrohen të bëjnë shkurtime në staf.

Nga viti 2018 si dhe në pjesën e parë të 2019, sektori eksporteve ka njohur humbje të mëdha, nga luhatja e kursit euro/lekë. Ndonëse nuk ka një shifër konkrete për të gjithë sektorin në tërësi, përllogaritjet e biznesit thonë se ato arrijnë në 105 mln euro.