Tregoni më shumë dashuri për këtë vend, gjeni zgjidhje

335

Në të ardhmen shoqëria jonë do tu bëjë përgjegjës për dëmin që do ti keni shkaktuar atdheut”.

Me këtë mesazh, Arqipeshkvi Metropolit i Tiranë Durrësit Imzot George Frendo konferencë të jashtëzakonshme për mediat lidhur me krizën politike në vend apeloi klasën politike shqiptare të hapë një kapitull të ri.

Në emër të Zotit ne ipeshkvinjtë katolikë në Shqipëri me shumë besim ju lutemi të tregoni dashuri më të madhe dhe të sinqertë ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve duke na treguar që me vendosmëri kërkoni një zgjidhje serioze dhe paqësore për këtë situatë, duke shmangur çdo rrezik që e keqja të na çojë drejt një të keqje më të madhe.

Paqja e vërtetë, tha Frendo, nuk do të thotë që të mbyllim sytë për anomalitë që ekzistojnë.

Nuk ka paqe të vërtetë nëse nuk ndërtohet mbi drejtësinë e vërtetë. Ju lutemi të hapni një kapitull të ri në politikën tuaj. Harroni fjalët e forta që ju vetë u keni drejtuar kundërshtarëve tuaj, harroni gjithashtu fjalët që kundërshtarët tuaj u kanë drejtuar juve. Harroni planet që kishit hartuar për të luftuar kundërshtarët, harroni edhe premtimet me të cilat kishit mbushur mendjet e ndjekësve tuaj.

Kleriku katolik siguroi politikën se asnjë shqiptar që e do atdheun dhe të mirën e përbashkët më shumë sesa të mirën e partisë nuk do t’i qortojë apo akuzojë se nuk mbajtën fjalën nëse arrijnë të kërkojnë një rrugë të ndryshme nga rruga që kanë ndjekur deri më sot.

Jini të sigurtë se shumica e popullit tonë kërkon prej jush vullnet të mirë për të shmangur çdo rrezik që do të na çojë drejt një humnere vdekjeprurëse. Ka pasur raste kur të gjithë ju jeni shprehur me krenari për fatin tonë të lumë që mes besimeve të ndryshme në këtë vendin tonë të dashur ekziston një traditë bashkëjetese ndërfetare në harmoni. Këtë vlerë të rëndësishme, duhet të mësoni nga ne.

Në fund kisha katolike kërkon një reflektim nga vetë qytetarët.

Besimet nuk na kanë ndarë, mos të lejojmë që të jetë politika shkak përçarje për popullin tonë.Populli ynë i dashur, inteligjent dhe shumë fisnik e ka memorien historike të largët dhe të afërt të freskët dhe është i vetëdijshëm se politika nuk do të arrijë ti përçajë për ti bërë keq vendit të vet dhe bashkëvëllezërve shqiptarë. Zoti ju ndriçoftë dhe dhëntë guxim për të zgjedhur rrugën e drejtësisë dhe të paqes.