Kryebashkiaku demokrat: Më arrestuan vëllanë në 03:00 të mëngjesit.

358

Kryetari i Bashkisë së Devollit, Bledion Nallbati ka denoncuar se FNSH-ja ka shoqëruar vëllanë e tij në Komisariat, pa pasur prova. Në një deklaratë për shtyp, Nallbati është shprehur se nëpërmjet këtij akti, policia ka si qëllim që të intimidojë punën e tij si kryebashkiak, e ndërsa thekson se nuk do të lejojë që të zhvillohen zgjedhjet e 30 qershorit.

Ai ka mohuar që vëllai i tij të ketë kërcënuar një nga katër kandidatët që garojnë në fushatën elektorale për postin e kryetarit të Bashkisë, me argumentin se nuk ka pasur motive për ta bërë duke qenë se ai është jashtë fushatës elektorale.

“Në orën 3 të mëngjesit të sotëm është shoqëruar nën presionin dhe agresionit policor, vëllai im me pretendimin se ka kërcënuar një nga katër kandidatët që garojnë në fushatën elektorale për postin e kryetarit të Bashkisë, ndërkohë që ka qenë jashtë qarkut të Korçës.

Unë nuk jam në këtë fushatë elektorale, nuk bëj pjesë, nuk jam në këto zgjedhje farsë kandidat për asnjë lloj posti dhe për këtë arsye nuk kam asnjë lloj konflikti personal jo e jo, por as politik me asnjë prej tyre”, tha Nallbati.

Përveç vëllait të tij, Nallbati denoncon se policia ka terrorizuar në orën 03:00 të mëngjesit disa familje në Devoll, përfshirë dhe banesën e kryebashkiakut, me qëllim që t’i trembin dhe të shtypin atë që ai e quan “revolt popullore”.
“Në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme nëpërmjet një skenari mafioz këto struktura kanë terrorizuar disa familje në Devoll.

Duke përfshirë edhe familjen e kryetarit të Bashkisë Devoll. Qyteti është i rrethuar me forca të shumta të policisë së shtetit, forcat e ndërhyrjes së shpejtë, forca të Drejtorisë së Policisë së qarkut Korçë, forca mbështetëse nga të gjitha komisariatet e policisë së qarkut të Korçës.

E gjithë kjo situatë ka për qëllim intimidimin e qytetarëve të Devollit nëpërmjet terrorit policor në mënyrë që të mbyllin gojën dhe të shtypin revoltën e krijuar në popull ndaj kësaj qeverie për fatkeqësitë që i ka sjellë”, denoncon kryebashkiaku.
Në fund, theksoi se zgjedhjet nuk do të zhvillohen më 30 qershor.

“Referuar Dekretit të Presidentit të Republikës, botuar në fletoren zyrtare zgjedhje në Devoll nuk ka, as në Devoll dhe as në të gjithë Shqipërinë, tha kryetari i Bashkisë së Devollit” përfundoi ai.