Vendorët tentojnë të shesin pronat në fund të mandatit

351

Në prag të përfundimit të detyrës, drejtuesit e djathtë të Bashkisë së Matit kanë vendosur që të nxjerrin në shitje pronat publike. Në mbledhjen e thirrur nga kryetari i këshillit bashkiak, Agim Hysa, është parashikuar që të bëhet edhe shitja e trojeve që janë ende pronë e Bashkisë Mat.

Burime për tirananews.al konfirmojnë se Kryetari Nezir Rizvani ka urdhëruar administratën që drejton që të përgatisë me shpejtësi “Projekt-Vendimin për Dhënie Autorizimi Kryetarit të Bashkisë Mat për shitjen e trojeve të banesave dhe Njësive, troje të cilat janë pronë e Bashkisë Mat”.

Të njëjtat burime bëjnë me dije se përmes këtij vendimi synohet shitja e Pallatit të Kulturës, Pallatit të Sportit, Shtëpisë së Ushtarakëve, Kinemasë, e objekteve të tjera në qytetin e Burrelit.

Në ligjin nr.139/2015 për “Vetqeverisjen vendore”, neni 64, ku flitet për kompetencat e këshillit bashkiak nuk thuhet asgjë në lidhje me autorizime të tilla. Në të gjitha rastet flitet deri në tjetërsim të pronës, por në asnjë rast për shitje të objekteve që konsiderohen si asete të Bashkisë. Për më tepër, në nenin 9 të po këtij ligji, pika 1.2.c thuhet se “e drejta e pronësisë ushtrohet nga këshilli përkatës, i cili nuk mund t’ia delegojë ushtrimin e kësaj të drejte askujt tjetër”.

Por ky vendim vjen në vazhdën e përpjekjeve të mëparshme të Kryebashkiakut të djathtë Rizvani dhe të drejtuesve të kësaj bashkie që në fund të detyrës së tij të shesin gjithçka që është pasuri publike tek privatët, duke tradhtuar në këtë mënyrë interesin e qytetarëve të cilët i kanë votëbesuar.

Vetëm pak ditë më parë këshilli bashkiak i Matit u detyrua të hidhte poshtë propozimin e administratës dhe kryetarit të bashkisë Mat për ngritjen e guroreve në territorin e Njësisë Administrative Komsi. Vetëm ndërhyrja e këshilltarëve të majtë si dhe reagimi i fortë i banorëve të kësaj zone që u ngritën në protesta, bëri që ky vendim të mbetet në sirtar dhe të mos miratohet. Mësohet se këshilltarët socialistë kanë përgatitur gjithë dokumentacionin ligjor për ta ndalur aventurën e vendorëve të Matit e të kryetarit të bashkisë Nezir Rizvani që do të lërë detyrën pasi nuk rikandidon më në zgjedhjet e 30 qershorit.

E teksa kryebashkiaku Rizvani bëhet gati për të lënë zyrën, si akt të fundit ka menduar shitjen e pronave të komunitetit të Burrelit aq shumë të nevojshme.