Ndue Pal Shllaku Poeti i zemrës së drithëruar.

365

Rrit madhesinë e shkrimit Zvogëlo madhesinë e shkrimit
Emrin e Ndue Pal Shllakut për herë të parë si aktor amator në Shoqërinë Antoniane, e “takova” në librin me kujtime “100 vjet teatër në Shkodër” (1879 – 1979) i autorit Andrea Skanjeti. Më vonë mësova se aktori Shllaku kishte edhe disa interpretime të tjera në skenat teatrore të kësaj shoqërie, ku kishte realizuar disa personazhe.

Plotësime të mëtejshme të biografisë artistike të Ndue Pal Shllakut i gjeta, më vonë, edhe në shkrimet e studimet e aktorit Gjon Karma, Artist i Merituar, në gazetat “Tomori” dhe “Tomori i vogël”, si dhe në arkivin e njohësit të historisë së teatrit të Shkodrës, Gjush Sheldia.

Nga studiuesit mësojmë se, Ndue Pal Shllaku hyri në Shoqërinë Antoniane rreth viteve 1935 – 1936. Si interpretues në fushën e aktrimit lë shenjë në komedinë “Shjor Puci” (komedi në tre akte) me autor Zef Gianini, përkthyer nga Dom Lazër Shantoja. Është për t’u përmendur se në këtë shfaqje ishte i pranishëm dhe poeti Gjergj Fishta.

Më vonë, dhe është qershori i vitit 1941, kur Ndue Pal Shllaku mban një fjalim në përkujtim të këtij poeti të shquar. Gjithashtu, Ndueja interpretoi edhe në dramën me tre akte “Kur orët lajmojnë” të Ernest Koliqit, (të cilën vetë e përpunoi dhe vetë luajti personazhin e Gegë Markut); në farsën “Loja e mijvet, gazmendi i dacave” (komedi, përpunuar nga Çesk Vuksani).

Jo vetëm kaq po Ndueja luajti rolin e Sulejmanit; te “Sekretari esnafë” (komedi me një akt), luajti rolin e Palushit. Në muajin prill të vitit 1941 luan personazhin kryesor në tragjedinë me pesë akte “Thomas Moore” të Silvio Pelicës (dramë e përkthyer nga padër Agustin Ashiku), e cila si premierë u dha në vitin 1941.

U shfaq katër herë me 1200 spektatorë. Ndërsa në tragjedinë me një akt “Një natë tragjike” (dramatizim nga Ndue Pal Shllaku) mbështetur në kapitullin “Gjak Romanjolas”, shkëputur nga libri “Zemra” i E. De Amiçis; vetë Ndueja luajti rolin e plakut (gjyshit). Po në këtë muaj me rastin e festës së kësaj shoqërie, interpreton në komedinë me një akt “Mnistari” (përkthyer nga italishtja e përshtatur në shqip nga At Silvestër Hila).

Këtu luan rolin e doktorit. Më pas interpretoi në komedinë me një akt “Gjyqi” me autor padër Frano Kiri. Premiera u dha më, 16.04.1936 me këto interpretues: Lin Gjonej, Gjon Karma, Ndoc Harapi, Pjetër Gjoka, Gaspër Bicej, Shan Zadrima, Ndue Pal Shllaku (në rolin e gjykatësit dhe ishte 14 vjeç). Ndërsa interpretimi i fundit është në tetor të vitit 1941, në dramën me pesë akte të titulluar “Ferdinandi i Agrigjentit”, e cila u shfaq pesë here. Ndue Pal Shllaku interpretoi rolin e Ferdinantit.

Duke parë afirmimin e personalitetit të tij si aktor e si krijues, interesat e tij artistike erdhën gjithnjë në rritje. Kështu Ndueja rreth viteve 1940 – 1941 u zgjodh sekretar i Shoqërisë Antoniane.

Ndue Pal Shllaku është poet i drithërimës e i zemrës së drithëruar. Shpirtin ia fali poezisë. Poezia iu bë shpirt, jetë dhe dhimbje. Kështu foli në heshtje me “re dëshiri”.

Dhe m’u kujtuan ca vargje të poetit polak Adam Asnyk: “Se çdo ëndërr, gëzim, gjithçka tretet, edhe ëndjet, pasionet në botë ‘ perëndojnë… por dhimbja veç mbetet”. Bashkë me dhimbjen edhe magjia e një poeti të talentuar, që quhet Ndue Pal Shllaku.