Mbeturinat elektronike janë një “minierë” e vërtetë ari.

436

Kompjuterët, smartfonët, televizorët apo qoftë dhe tabletat që nuk i përdorni më, në fakt janë “miniera” ari. Madje ato janë më të pasura se minierat natyrore, pasi nëse në këto të fundit një ton gurësh ka mesatarisht 50 gram ar, në një ton mbetjesh elektronike ka të paktën 100 gram.

Kështu thotë profesori i kimisë fizike në Universitetin e Milanos, Maurizio Masi, i cili gjithashtu tregon se nxjerrja e arit nga këto mbetje elektronike është e thjeshtë, mjafton të dish kiminë e duhur.

“Është shumë e rëndësishme që mbetjet nga paisjet elektronike të grumbullohen dhe të riciklohen, në mënyrë që të merren keto metale. Cikli fillon me mbledhjen e diferencuar, zakonisht kryhet nga firmat e riciklimit.

Më pas, duke i coptuar në copa të vogla, ato sulmohen kimikisht me solucione që bëjnë dallimin dhe selektimin mes tyre, gjë që na lejon të rikuperojmë metalin e çmuar”- shpjegon profesori italian.

Pra një minierë klasike ari, përmban rreth 50 gram ar në në ton gurësh, ndërsa një ton mbetjesh elektronike ka të paktën 100 gram ar, 300 gram bakër dhe 100 gram metale të tjera si kallaj dhe plumbi. Kështu që para se ti hidhni herën tjetër këto paisje, mendohuni dy herë.