Çfarë tregojnë gazrat për shëndetin tuaj?

421

Çdo njeri ka gazra dhe i eliminon ato duke gromësirë ose nëpërmjet rektumit. Mirëpo, disa njerëz mendojnë se kanë shumë gazra kur realisht ata kanë sasi normale të tyre.

Shumica e njerëzve prodhojnë 1.89 litra dhe kanë 14 herë gazra në ditë. Gazi është i përbërë kryesisht prej avujve pa erë të dioksidit të karbonit, oksigjenit, azotit, hidrogjenit dhe ndonjëherë edhe të metanit. Era e pakëndshme e tyre vjen prej baktereve që ndodhen në zorrën e trashë të cilat çlirojnë sasi të konsiderueshme gazi që përmban sulfur.

Çfarë i shkakton gazrat?

Gazi në traktin tretës (ezofag, stomak, zorrë të holla dhe zorrë të trashë), vjen nga dy burime: – gëlltitja e ajrit – shpërbërja normale e disa ushqimeve të patretura prej florës bakteriale normale në zorrën e trashë. Gëlltitja e ajrit (aerofagjia), është një shkak i shpeshtë i gazrave në stomak. Çdo njeri gëlltit një sasi ajri gjatë konsumimit të ushqimeve dhe ujit. Megjithatë ngrënia e ushqimeve dhe pirja e ujit shpejt, përtypja e çamçakëzëve, pirja e duhanit apo proteza dhëmbësh të lirshme mund të shkaktojnë gëlltitje ajri.

Gromësira është mënyra më shpeshtë kur ajri i gëlltitur i cili përmban azot, oksigjen dhe dioksid karboni, çlirohet nga stomaku. Gazi i mbetur lëviz drejt zorrës së trashë ku absorbohet (përthithet) pjesërisht ndërsa pjesa tjetër çlirohet nëpërmjet rektumit. Stomaku gjithashtu çliron dioksid karboni kur lëngjet acide të stomakut bashkohen me bicarbonate (që janë baza), ndërsa një pjesë e madhe e dioksidit të karbonit përthithet në qarkullimin e gjakut dhe nuk kalon në zorrën e trashë.

Shpërbërja e ushqimeve te patretshme Trupi ynë nuk i tret, por i përthith disa karbohidrate si (sheqerin, niseshtenë dhe fibrat që gjenden në disa ushqime) në zorrët e holla për shkak të pamjaftueshmërisë apo mungesës së disa enzimave.

Këto ushqime të patretshme kalojnë nga zorrët e holla në zorrën e trashë ku flora bakteriale normale i shpërbën ato duke prodhuar hidrogjen, dioksid karboni dhe në 1/3 e personave metan. Përfundimisht gazrat e prodhuara çlirohen nga rektumi.

Njerëzit që prodhojnë metan nuk është e thënë të kenë shumë gazra apo shenja të veçanta. Këta njerëz mund të kenë feçe (mbeturina ushqimore), të cilat notojnë në ujë. Kërkimet nuk kanë treguar pse disa njerëz prodhojnë metan dhe disa jo. Ushqimet që prodhojnë gazra tek një person mund të mos prodhojnë tek një tjetër. Disa bakterie normale të zorrës së trashë mund të shkatërrojnë hidrogjenin që disa baktere të tjera e prodhojnë. Balancimi i dy llojeve të baktereve mund të shpjegojë pse disa njerëz kanë më shumë gazra se të tjerët.

Cilat ushqime shkaktojnë gazra?

Shumica e ushqimeve që përmbajnë karbohidrate mund të shkaktojnë gazra. Në kontrast, yndyrat dhe proteinat shkaktojnë më pak gazra.
Sheqernat që shkaktojnë gazra janë: Trisaharidet që janë kompleks sheqernash dhe gjenden tek fasulet në sasi të madhe. Në sasi më të vogla gjendet tek lakrat, lakëra e Brukseli, brokoli, asparagu, perimet dhe te të gjitha drithërat. Laktoza e cila është sheqeri normal i qumështit. Gjithashtu gjendet tek produktet e qumështit të cilat janë të gjithë llojet e djathërave, akulloret, në të gjitha ushqimet e përpunuara siç janë buka, cerealet dhe salcat për sallatë.

Disa njerëz, për shembull, afrikanët, amerikanët dhe aziatikët kanë vlera më të ulëta se normalja të enzimës që tret laktozin gjatë fëmijërisë së tyre e cila rritet më vonë për tu ulur përsëri në moshën madhore (pleqëri). Si rezultat, këta njerëz kanë sasi të shtuar gazrash pasi kanë konsumuar ushqime që përmbajnë laktozë. Fruktoza e cila gjendet tek qepët, dardha dhe gruri. Ajo gjithashtu përdoret si ëmbëltues tek aperitivët dhe lëngjet e frutave.

Sorbitoli i cili normalisht gjendet tek frutat, ku përfshihen mollët, dardhat, pjeshkat dhe kumbullat e freskëta dhe të thata. Gjithashtu përdoret si ëmbëltues artificial në disa ushqime dietike, ëmbëlsira pa sheqer dhe në çamçakëz.

Niseshteja e cila gjendet tek patatet, misri, gruri dhe makaronat të cilat prodhojnë gazra pasi shpërbëhen nga flora bakteriale normale e zorrës së trashë. Fibrat Disa ushqime përmbajnë fibra të tretshme dhe të patretshme. Fibrat e tretshme shpërbëhen lehtësisht në ujë duke u kthyer në masë të rrëshqitshme si xhel në zorrë.

Gjenden në krundet e tërshërës ,fasulet, bizelet dhe në shumicën e frutave. Këto lloje fibrash nuk shpërbëhen pa arritur në zorrën e trashë prandaj dhe prodhojnë gazra. Fibrat e patretshme nga ana tjetër
kalojnë të pandryshuara në zorrë dhe prodhojnë sasi të vogla gazi. Krundet e grurit dhe disa perime përmbajnë këto lloje fibrash.

Cilat janë shenjat dhe problemet e gazrave?

Shenjat më të shpeshta të gazrave janë çlirimi i gazrave prej rektumit (zorrës së trashë), dhimbje barku, fryrje barku dhe gromësira. Gjithsesi jo çdo njeri i përjeton këto shenja. Faktorët përcaktues mund të jenë sasia e gazrave që trupi prodhon, sasia e acideve yndyrore që trupi përthith dhe ndjeshmëria e personit ndaj gazrave në zorrën e trashë.

Gromësira e rastit gjatë ose pas një vakti është normale dhe çlirohet gaz kur stomaku është plot me ushqim. Megjithatë, njerëzit që gromësijnë vazhdimisht mund të kenë gëlltitur shumë ajër dhe e çlirojnë atë përpara se ai të hyjë në stomak.

Ndonjëherë një person me gromësira të shumta mund të ketë çrregullime të traktit të sipërm tretës (stomakut), siç janë sëmundja e ulcerave peptike, urthi (refluks gastro-ezofageal) dhe gastroparezë (dobësim i muskujve të stomakut si rezultat i uljes së peristaltikës së stomakut). Ka raste kur njerëzit mendojnë se duke çliruar gazin e gëlltitur mund të qetësohen nga këto çrregullime dhe ky person me qëllim apo pa qëllim mund të krijojë zakonin e gromësirës për tu lehtësuar.

Sindromi i fryrjes nga gazrat mund të ndodhë pas kirurgjisë për të korrigjuar problemet prej refluksit gastro-esofageal (fundoplication). Gjatë këtij operacioni krijohet një valvul njëkalimëshe e cila lejon ushqimet dhe gazrat të kalojnë në stomak ndonëse shpesh ndalon gromësirat normale dhe aftësinë për të vjellë. Megjithatë kjo gjendje mund të përmirësohet me kalimin e kohës.