Çudira me adresat në Shqipëri, regjistrojnë si qendër banimi një lulishte.

323

Probleme me listat e zgjedhësve janë konstatuar dhe për votimet e 30 qershorit ku PS nuk ka përballë as PD dhe as LSI.

Në Korçë votuesit janë regjistruar dhe në lulishte, ndërsa në Elbasan jetojnë një numër i lartë familjesh në një ambient të vogël.

Në raportin e paraqitur në KQZ, ekspertët shprehen se në 10 për qind të listës së votuesve janë konstatuar probleme, çka cënojnë besueshmërinë.

10 për qind e zgjedhësve për votimet e 30 qershorit rezultojnë se janë me probleme. Audituesi i angazhuar prej KQZ-së ka paraqitur konstatimet në një raport të veçantë ku nënvizon ndryshimin e adresave. Ai nënvizon se janë mbi 350 mijë raste ku në një kohë të shkurtër iu është ndryshuar vendi i banimit.

Ndërsa brenda pak muajsh janë verifikuar adresat e rreth 284 mijë votuesve dhe 47 mijë banesave. Në këto kushte audituesi, Zamir Hoxha, shprehet se probleme konstatohen në 10 %, çka cënon besueshmërinë e listës.

Edhe pse PS kandidon e vetme në 33 bashki të vendit, sërisht janë konstatuar raste të regjistrimit të një numri të lartë banorësh në një godinë, madje edhe kanë deklaruar lulishtet si godinë banimi.

Në Korçë, 1051 votues janë të regjsitruara në adresën e Fakultetit të Shkencave të Natyrës dhe Humane, ndërsa 495 të tjerë janë të regjistruar në një lulishte të qytetit.

Po ashtu në qytetin e Durrësit, 944 zgjedhës jetojnë në një banesë me sipërfaqe të pamjaftueshme.

Parregullsive nuk u ka shpëtuar as qyteti i Elbasanit, ku sipas ndryshimeve, 408 zgjedhës kanë si adresë banimi një godinë 6 katëshe.

Probleme janë shfaqur dhe me votuesit mbi 100 vjeçarë, ku në 28 prill rezultonin 1087 të tillë dhe në listën finale numri shkon në 2805 zgjedhës.

Për këtë rast të fundit, Gjendja Civile ka bërë të ditur se numri ka ndryshuar pas verifikimeve të bëra në bazë të ligjit.

Raporti i auditit është prezantuar në KQZ, ndërsa gjetjet i janë dërguar edhe Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile.