Shqipëria nuk duhet të jetë vendi i shpresave të thyera

333

Presidenti i Republikës, Ilir Meta vlerësoi organizatën SOS Fshatrat e Fëmijëve Ndërkombëtarë me Dekoratën “Nënë Tereza” për kontributin e vazhdueshëm në ndihmë të fëmijëve dhe të rinjve që e kanë humbur kujdesin prindëror.

Kreu i shtetit në fjalën e tij është shprehur se në 30-vjetorin e konventës mbi të drejtat e fëmijëve, të gjithë duhet të rrisim përkujdesin social ndaj fëmijëve që jetojnë në mjerim, pa përkrahje, të dhunuar, të pastrehë dhe pa kujdesin prindëror.

Shqipëria nuk duhet të jetë vendi i shpresave të thyera, ku shkelen të drejtat bazike të fëmijëve dhe ku varfëria i frenon brezit të ri zhvillimin normal dhe ndrydh ëndrrat e tyre të lira që në fëmijëri.

Shoqëria shqiptare duhet të përgatisë qytetarë me integritet, të shtyrë dhe frymëzuar nga ndjenja e barazisë, të aftë dhe të devotshëm për të realizuar dhe mbrojtur të drejtat e tyre, por edhe për t’i shërbyer atdheut.

Ndër të tjera Meta është shprehur se fshati SOS duhet mbështetur nga shteti dhe bizneset në mënyrë që të keni më shumë mundësi për t’u kujdesur ndaj më shumë fëmijëve dhe familjeve vulnerabël.

Nuk ka prioritet më të rëndësishëm për të ardhmen e Shqipërisë sesa investimi për rritjen, edukimin dhe integrimin sa më të mirë të rinisë dhe sidomos të fëmijëve pa kujdesin prindëror.