Kostot e ndërtimit rritën me 0.4% në tremujorin e parë

267

Kostot e ndërtimit të banesave e nisën edhe vitin 2019 me rritje të ngadaltë. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, në tremujorin e parë të vitit, indeksi që mat këto kosto u rrit 0.4% me bazë vjetore.

Krahasuar me tremujorin e fundit të vitit të kaluar, ritmet e rritjes u përgjysmuan. Kostot e ndërtimit po rriten në mënyrë të qëndrueshme që nga mesi i vitit 2016, megjithatë rritja ka qenë në nivele modeste, të tilla që zor se mund të ushtrojnë presione për rritje të çmimeve.

Në tremujorin e parë të këtij viti, erdhi sidomos nga shpenzimet më të larta për paga dhe nga kostot më të larta të makinerive. Shpenzimet e bizneseve ndërtuese për fondin e pagave u rritën me 1.3%, ndërsa shpenzimet e makinerive me 1%.

Rritja e kostove për paga dhe transport, megjithatë, u balancua nga rënia e kostove për shpenzimet materiale, që përbëjnë edhe zërin me peshën kryesore në aktivitetin ndërtues. Për tremujorin e parë, kostot materiale ranë me 0.5% krahasuar me një vit më parë. Ndërkohë, çmimet më të ulëta të karburantit gjatë këtij viti kanë bërë që edhe kostot e transportit të bien me 1% ndaj tremujorit të parë 2018.

Sipas Entit të Banesave, kosto e ndërtimit në Shqipëri është mes 32 dhe 33 mijë lekë për m2, me diferenca të vogla mes bashkive të ndryshme. Çmimi mesatar i shitjes së banesave në kryeqytet është mbi 700 euro për m2, ose rreth tre herë sa kostoja.

Aktiviteti i ndërtimit të banesave po rritet në vitet e fundit, çka provohet nga ecuria e lejeve të ndërtimit. Vitin e kaluar u dhanë 161 leje të reja për ndërtime rezidenciale, të përqendruara sidomos në Tiranë.