Edi Rama mes historisë dhe pushtetit, zgjedh pushtetin

397

Irena Beqiraj, ish-zv.ministre e Financave në një intervistë për DITA i bën një analizë ekonomisë së vendit, flet për Borxhin Publik, varfërinë dhe…faktin që nuk kemi udhëheqës politikë.
Nga Entela Resuli

Irena Beqiraj që prej vitit 2016 aderon në Partinë Socialiste si anëtare e thjeshtë.

Ajo ka mbajtur poste të rëndësishme në qeverisjen e Ramës, si zv.ministre, Drejtoreshë e Doganave dhe këshilltare e Kryeministrit.

Rrugëtimi i saj në administratë filloi në dhjetor të vitit 2014, kur nga Kryeministri Rama mori propozimin për t’iu bashkuar skuadrës së tij në postin e zëvendësministres së Financave, rrugëtim të cilin e ndërpreu me dorëheqje në gusht 2017.

Në këtë intervistë për DITA ajo i bën një analizë situatës ekonomike dhe politike të vendit.

Beqiraj është një zë ndryshe në PS.

Një zë që guxon të shprehë hapur mendimin e saj duke rreshtuar gjithë problematikat e kësaj qeverisje.

“Sot, në vend që të jetojmë në demokraci jetojmë në sistem unik që mund ta quaj kryetarokraci. Kjo krizë ishte një mundësi e artë për Zotin Rama për të kuptuar nevojën emergjente për ndryshim, duke hapur një faqe të re për Demokracinë në Shqipëri. Por siç duket midis sfidës me historinë dhe pushtetit ka zgjedhur pushtetin”- shprehet Beqiraj për Dita-n.

Edhe pse nuk është zyrtarisht këshilltare e Kryeministrit, ajo nga larg do i jepte një sugjerim: “Kurrë nuk është vonë për të bërë gjënë e duhur”.

Irena është nënë e një vajze 11 vjeçe. Ka një karrierë të gjatë si ekonomiste duke mbajtur shumë tituj dhe kualifikime, aktualisht angazhohet si konsulente në projekte të institucioneve ndërkombëtare.

Shqipërinë e konsideron si një vend me shumë sfida që lidhen me të ardhmen e brezit të ri. Një nga më të rëndësishmet është arsimimi.

“Ne kemi nevojë për ndryshim rrënjësor në sistemin tonë arsimor i cili duhet t’i përshtatet jo vetëm nevojave të zhvillimit ekonomik të vendit, por mbi të gjitha duhet të dizenjohet në mënyrë të tillë që të formojë si fillim individin, më pas qytetarin e pastaj profesionistin. Shpresa vdes e fundit. Unë jam shpresëplotë që gjërat do të ndryshojnë”.

Zonja Beqiraj, Ju jeni ekonomiste dhe keni pasur dhe poste drejtuese në qeveri. Pyetjen e parë do doja ta nisja direkt për fushën që ju keni kontribut. Si është ekonomia e vendit, ku po shkojmë sipas jush?

Si fillim do të doja të theksoja se nuk jemi një krizë ekonomike siç artikulohet shpesh në narrativat e nxehta kundër qeverisë, por mund të them se ekonomia nuk është duke përjetuar ritmin e nevojshëm të rritjes dhe duke u krahasuar me një dekadë më parë (1998- 2008) ka pësuar rënie.

Dekadën e kaluar 1998- 2008 ekonomia shqiptare u rrit mesatarisht me 6 për qind në vit. Ky rritëm pësoi ulje të ndjeshme në vitet 2008 -2014, ku rritja mesatare vjetore ra ndjeshëm ne 2.4 për qind. Ndërkohë gjatë periudhës 2015-2018 jemi rritur mesatarisht me 3.4 për qind në vit. Megjithëse po përjetojmë një rritje të qëndrueshme ajo është e pamjaftueshme.

Nëse do t’i referohemi një të dhëne tjetër, nivelit të varfërisë, në vitin 2002, 54 për qind e popullsisë jetonin nën kufirin e varfërisë pra me më pak 5,5 dollarë në ditë. Në 2012 niveli i varfërisë ra në 39.1 për qind, ndërkohë që projeksioni për vitin 2019 për nivelin e varfërisë është 34 për qind . Pra 34 për qind e popullsisë jetojnë sot me më pak 5.5 dollarë në ditë.

Në këtë nënperformancë përveç problemeve strukturore afatgjata dhe ngadalësimit të ritmit të rritjes së partnerëve tanë ekonomik, ndikojnë dhe krizat politike sistematike që ka kaluar vendi ynë dekadën e fundit.

Cilat janë disa nga problemet strukturore me të cilat përballet ekonomia jonë?

Problemet strukturore me të cilat përballet ekonomia jonë janë, produktiviteti i ulët, konkurrueshmëria e lartë në tregun europian e botëror, adaptimi i ulët i teknologjive të përparuara, mungesa e ekonomisë së shkallës. Ndërkohë që kemi një portofol eksportesh të padifersifikuar, që ka në përbërje produkte me vlerë të ulët. Ekonomia shqiptare po përjeton një kreditim të ulët të sektorit privat. Pavarësisht lehtësimit monetar dhe uljes së raportit të kredive të këqija nga 25 për qind në 11 për qind, kredia për sektorin privat u ul sërish në vitin 2018 me 0.2 për qind të e PBB-së .

Ekonomia jonë vuan nga fragmentizimi, ku struktura prodhuese në Shqipëri është e dominuar nga kompani shumë të vogla. Bizneset që kanë më shumë se 50 të punësuar, përbëjnë vetëm 1,1 për qind, të totalit të sipërmarrjeve.

Zonja Beqiraj, sa është borxhi publik i vendit dhe a konsiderohet një borxh i lartë? Si i gjykoni financat e Shqipërisë?

Konsolidimi fiskal i ndërmarrë nga qeveria e pakësoi deri diku borxhin publik por pa arritur objektivin. Në vitin 2018 i gjithë borxhi publik përfshirë edhe garancitë, ishte 69.6 për qind të PBB-së në 2018. (Mesatarja e borxhit në 6 vendet e Ballkanit perëndimor është 50.2 për qind). Konsolidimi fiskal çoi gjithashtu, në një rënie të vazhdueshme të deficitit buxhetor ( Të ardhura vjetore – shpenzime vjetore ) prej 6 për qind të PBB-së në vitin 2014 në 1,8 për qind në vitin 2018. Por shqetësim mbetet akumulimi sërish i detyrimeve të reja të prapambetura (kryesisht në rimbursimet e TVSH-së, shpenzime të infrastrukturës rrugore dhe borxhet e qeverisë lokale) të cilat arritën në rreth 1.5 për qind të PBB-së në vitin 2018. Përveç kësaj, qeveria ka rritur së fundmi përdorimin e PPP-ve për të financuar infrastrukturën, projektet e shëndetësisë dhe arsimit. Këto kontrata krijojnë angazhime buxhetore për pagesa të ardhme nga buxheti i shtetit, duke rritur risqet fiskale me të e mund të përballet buxheti i shtetit.

Ju keni qenë edhe zëvendësministre e Financave. Kush ua propozoi atë post?

Në vitin 2014, nga Kryeministri Rama mora propozimin për postin e Zëvendësministres së Financave, rrugëtim të cilin e ndërpreva me dorëheqje në gusht 2017.

Pse u larguat, çfarë nuk shkoi?

Puna në administratë të mëson shumë në rrafshin teknik, por kuptohet ke mundësi të mësosh shumë edhe në rrafshin personal. Mund të shohësh më qartë cilat janë cilësitë karakteriale të cilat mund t’i përmirësosh, cilat janë cilësitë e reja që mund të përvetësosh, por edhe ato cilësi që nuk mund të bëhen kurrë pjesë e jotja. Pragmatizmi, Propaganda dhe Përshtatja janë tre P-të e arta për të mbijetuar në ambientin e sotëm politik shqiptar që unë nuk i bëra dot kurrë të mijat.

Pak ditë më parë jeni vendosur në qendër të vëmendjes për një letër publike ndaj qytetarëve, ku mes të tjerave shpreheshit se në Shqipëri nuk ka udhëheqës politikë! Përse keni arritur në këtë konkluzion?

Pse ju mendoni se kemi udhëheqës? Ne kemi pasur kryetarë të zgjedhur për të drejtuar partitë e më pas qeveritë. Por kurrsesi udhëheqës. Megjithëse veten e projektojnë si burra shteti, janë vetëm të dashuruar me pushtetin, të cilin e duan ta mbajnë apo sigurojnë në rrugën më të thjeshtë, duke ripërsëritur veten, në të njëjtën zakonshmëri të konfliktit ekstrem. Udhëheqës është ai, që është i kujdesshëm me çdo fjalë që nxjerr nga goja e me çdo vendim që merr për vendin e tij. Udhëheqës është ai që për të mbajtur popullin të bashkuar është i gatshëm të shpërfillë propagandën, dhe të arrijë kompromise pa kushte.

Udhëheqës është ai që nuk mendon për pushtetin e sotëm por për trashëgiminë që do të t’i lërë të nesërmes.

Udhëheqës janë ata që turpërohen nga gjendja e paaftësisë se përhershme, e cila i çon drejt ndërkombëtarëve, në kërkim të zgjidhjeve për krizat politike të cilat duhet dhe mund t’i zgjidhnin vet. Më identifikoni dot një të tillë?

Po ashtu në letër shpreheshit se partia ku aderon hapi fushatën, duke u ndjerë e përjashtuar. Keni një perceptim se ka një diferencë mes socialistëve dhe linjës së zotit Rama që përfaqësohet nga Rilindja?

Nuk ndihem aspak e përjashtuar, por jam tërësisht kritike ndaj qasjes kundrejt krizës aktuale, e cila nuk është gjë tjetër veçse një refuzim total për të reflektuar dhe adresuar problemet sistematike që ka demokracia në Shqipëri.

Rama është kryetari i Partisë Socialiste, në një sistem i cili i mundëson atij zgjedhjen e deputetëve që ulen në kuvend për shkak të listave të mbyllura. Si kryetari i partisë ai përcakton ose në rastin më të mirë ka veton në përcaktimin e kandidatëve për kryetar bashkie. Duke qenë se është kryetari i mazhorancës zoti Rama përcakton Ministrat, duke lënë në vuajtjen e një pritje të ethshme para kamareve edhe anëtarët e kryesisë së partisë. Sot pushteti legjislativ dhe ekzekutiv efektivisht janë të pandarë në dorë të kryetarit të mazhorancës. Këtu nuk kemi të bëjmë me linjën e zotit Rama, pasi ai për sa kohë do të jetë kryetar i PS do të jetë i plotfuqishëm, siç do të jetë çdo kryetar tjetër mazhorance në sistemin aktual që kemi ngritur. Sot, në vend që të jetojmë në demokraci jetojmë në sistem unik që mund ta quaj kryetarokraci. Kjo krizë ishte një mundësi e artë për zotin Rama për të kuptuar nevojën emergjente për ndryshim, duke hapur një faqe të re për Demokracinë në Shqipëri. Por siç duket midis sfidës me historinë dhe pushtetit ka zgjedhur pushtetin.

Ka nga ata që mund të thonë se; pse nuk folët kur ishit pozicione shtetërore dhe flisni tashmë që nuk jeni më pjesë e qeverisjes, si do i përgjigjeshit?

Kur kam mbajtur pozicione shtetërore kam folur aty ku duhej të flisja në mënyrë po kaq të drejtë për drejtë sa edhe tani. Shumë bashkëpunëtorë të afërt janë dëshmitarë të konsistencës dhe qëndrueshmërisë në qëndrimet e mia. Publikisht, në atë kohë, mund të flisja aq sa ma lejonte etika profesionale dhe klauzolat e konfindecialitetit.

Znj. Beqiraj, ju keni qenë këshilltare e kryeministrit Rama, a pranonte ai këshilla?

Kryesisht isha pro-aktive në çështjet që kërkohej mendimi apo qëndrimi im. Por kam pasur lirinë e nevojshme dhe të mjaftueshme për të shprehur edhe qëndrime apo mendime për çështje të cilat nuk më është kërkuar specifikisht një mendim apo qëndrim.

Për çfarë do ta këshillonit sot?

Kurrë nuk është vonë për të bërë gjënë e duhur.

Zonja Beqiraj, duket sikur Shqipëria është në një ngërç, pa opozitë, pa Gjykatë Kushtetuese, me një ekonomi në rënie, me një qeveri që reflekton krizë, me një shoqëri që përveç ekonomisë duket sikur është edhe në një krizë emocionale…. Si mund të dilet nga kjo gjendje?

Dikur Konica do të shkruante “Bëhuni burra! Rrëmbeni kazmat!” Puna është më e lartë se trimëria, kazma më fisnike se palla. E mbi të gjitha heshtni! Jo fjalë, por kazmën. Jo mbledhje, por kazmën. Jo misione, por kazmën! Dhe parmendën, dhe draprin, dhe shoshën, dhe furrën. Mjaft më lëvdime.

E para duhet të heshtim. Ti japim fund propagandës gënjeshtrës dhe hipokrizisë të cilat ushqejnë makinat e liderëve tanë. Së dyti duhet të ndërtojmë sistemet demokratike funksionale, nervi i të cilave është përfaqësimi dhe jo katapultimi dhe mekanizimi bazë i funksionimit është ndarja e pushteteve dhe jo përqendrimi i tyre. Nëse liderët aktualë nuk janë gati të ulen për të ndryshuar sistemin duke qëndruar të palëkundur në kauzat me të cilat kanë mbushur propagandën e tyre duhet ti refuzojmë, dhe rrjedhimisht ti ndryshojmë.

Aktualisht, me çfarë merreni?

Punoj si konsulente në projekte të institucioneve ndërkombëtare, projekte që lidhen kryesisht me financat edhe ekonominë.

Zonja Beqiraj, sa fëmijë keni dhe a është Shqipëria një vend që ngjall shpresë për të ardhmen e fëmijëve?

Kam një vajzë, e cila është 11 vjeç. Kuptohet që Shqipëria ka shumë sfida që lidhen me të ardhmen e brezit të ri. Një nga më të rëndësishmet është arsimimi. Ne kemi nevojë për ndryshim rrënjësor në sistemin tonë arsimor i cili duhet t’i përshtatet jo vetëm nevojave të zhvillimit ekonomik të vendit, por mbi të gjitha duhet të dizenjohet në mënyrë të tillë që të formojë si fillim individin, më pas qytetarin e pastaj profesionistin. Shpresa vdes e fundit. Unë jam shpresëplotë që gjërat do të ndryshojnë.

Ju vetë, ku po i shkolloni dhe rrisni vajzën tuaj?

Vajza ime, po rritet edhe po shkollohet në Shqipëri, por në një shkollë që i përket sistemit IB ( International Baçalaureate). Programet në këtë sistem inkurajojnë jo vetëm arritjet akademike, por edhe personale duke i sfiduar studentët të shkëlqejnë jo vetëm në studime, por mbi të gjitha të arrijnë më të mirën e mundshme në zhvillimin e tyre personal.

A e konsideron ajo Shqipërinë një vend ku mund të jetojnë dhe punojnë?

Ime bijë ka pasion tenisin. Ky pasion mund të kushtëzojë zgjedhjet e saj për vendin ku do të duhet të stërvitet dhe jetojë në ta ardhmen e afërt. Por jam e sigurt që kudo që të jetë edhe çfarëdo që të arrijë në jetë Shqipëria dhe prejardhja e do të jenë të pandashme nga gjithë qenia e saj. Shpresoj, uroj edhe po punoj që kudo që ajo do të vendos të jetojë të përfaqësojë një shqiptare të denjë dhe të kontribuojë për një Shqipëri më të mirë.

Gazeta “Dita”