Aulona Musta dhuron fustane për mbrëmjen e Maturës për vajzat që s’kanë mundësi.

670

Ndodhemi pak javë larg përfundimit të vitit shkollor dhe Aulona Musta pati një ide në lidhje me këtë. Me mijëra maturantë në vend do të festojnë fundin e gjimnazit dhe fillimin e një faze të re në jetë dhe shumë prej tyre s’do të kenë mundësi financiare të shkojnë në mbrëmjen e maturës. Si rrjedhim, ajo vendosi të dhurojë tre fustane nga garderoba e saj, veshur pak herë, për tre vajza që s’kanë mundësi.

“Vajzat e mia të dashura,

Duke qenë se jemi në periudhën e mbrëmjeve të maturës dhe duke ditur që ka shumë vajza që nuk kanë shumë mundësi ekonomike për të marrë qoftë edhe me qira një fustan, unë do të doja të dhuroja tre fustanë të mitë personal, të cilët i kam veshur vetëm një ose dy herë në evente të ndryshme.

Në fakt, nuk ka ndonjë mënyrë të veçantë përzgjedhjeje. Nëse ndonjëri nga fustanet ju pëlqen, dua thjesht të më dërgoni mesazh në inbox. E di që do të jetë e vështirë përzgjedhja, por nuk dua të bëj giveaway, as përzgjedhje ratësore. Dua t’ua jap realisht tre vajzave që kanë vërtet nevojë,” shkruan ajo në në postim në InstaStory.

Më pas, Aulona postoi tre fustanet në fjalë, punime të Jona Muçës, Stela Sallakut dhe një fustan Roberto Cavalli.

Fustanin bojëqielli, Aulona ia dhuroi një maturanteje, nëna e të cilës vuan nga depresioni dhe i nevojitet të mjekohet rregullisht me medikamente të kushtueshme. Në familjen e saj punon vetëm babai dhe si rrjedhim, ajo s’kishte mundësi të shkonte në mbrëmjen e maturës.

Shkurtimisht më pas, me dhjetëra ndjekëse i shkruajtën Mustës për të dhuruar fustanet e tyre.

“Jam realisht e befasuar nga gjithë mesazhet që më kanë ardhur dhe gjithë vajzat që janë ofruar për të dhuruar fustanet e tyre për vajzat që kanë mbrëmjen e maturës dhe s’kanë mundësi ekonomike për të marrë një fustan të ri ose me qira.” shkruan ajo përbri fotove të fustaneve të dhuruar nga ndjekëset. “Mungesa e fustanit nuk duhet të jetë arsye për të mos vajtur në mbrëmjen e maturës për asnjërën nga ju.”

Nëse edhe ju doni të ndiqni hapat e Aulonës, mund t’i drejtoheni asaj si shumë vajza të tjera. Ose, nëse njihni dikë në rrethin shoqëror, në komunitet a familje që ka nevojë për një fustan për mbrëmjen e maturës, mos ngurroni të ofroni ndihmën tuaj.