Shaqiri zbulon të ardhmen: E dija çfarë më priste.

432

Xherdan Shaqiri ka bërë të ditur se nuk ka ndërmend të largohet nga Liverpool, edhe pse duhet të kënaqet me rolin e zëvendësuesit që ka te kampionët e freskët e Europës. Lojtari me origjinë shqiptare ka luajtur 90 minuta vetëm shtatë herë në sezonin e tij të parë në “Anfield”, por një nga këto aktivizime ka qenë në fitoren e jashtëzakonshme 4-0 të arritur kundër Barcelona-s.

Për shkak se Salah luan në pozicionin e tij të preferuar, Shaqiri e dinte se nuk do ta kishte aspak të lehtë të siguronte një vend në formacionin titullar të “Të Kuqve”. “Trajneri ka shumë opsione dhe duhet të vendosë se kush do të luajë. E dija se do të ishte shumë e vështirë para se të transferohesha. Kam një kontratë të gjatë dhe kam ndërmend të qëndroj”, ka thënë Shaqiri.

Pavarësisht aktivizimit të paktë, Xherdani ka dhënë kontributin e tij në sezonin e suksesshëm të skuadrës së tij. Ai ka realizuar gjashtë gola dhe ka dhënë 5 asiste në këtë sezon. Një nga këto asiste ka ardhur në fitoren e arritur kundër Barcelona-s, me Wijnaldum që ka çuar shifrat në 3-0 pas një krosimi nga ana e tij.

Ai kundër katalanasve, ka qenë aktivizimi i tij i parë në Champions pas fazës me grupe, por ka qenë jetik për fatin e “Të Kuqve”. “Ka qenë një moment special për mua të fitoj një tjetër medalje të artë. Jam krenar dhe i lumtur. Mendoj se kam dhënë kontributin tim në fitoren e trofeut”, ka thënë ylli i kombëtares zvicerane.

Shaqiri do të kthehet në fushë për gjysmëfinalen e Nations League kundër Portugalisë, që do të zhvillohet të mërkurën në mbrëmje. Nëse kombëtarja e tij do të fitojë, ai mund të përballet me disa nga shokët e skuadrës të Liverpool-it në finale, duke parë se gjysmëfinalja tjetër do të jetë mes Anglisë dhe Holandës./telesport.al/