Holanda kërkon zyrtarisht ndalimin e lëvizjes së lirë për shqiptarët

279

Qeveria holandeze i është drejtuar zyrtarisht Komisionit Europian per t’i njoftuar vendimin e Parlamentit për pezullimin e lëvizjes pa viza të shqiptarëve.
Në një letër që përfaqësuesi i përhershëm i Holandës pranë bashkimit europian Robert de Groot I ka dërguar komisionerit për migracionin dhe çështjet e brendshme Dimitris Avramopoulus paraqitën shqetësimet në lidhje me shqiptarët; duke nisur nga rritja e rrezikut për sigurinë e brendshme të vendeve anetare.

“Që prej 2015, Holanda ka përjetuar një rritje thelbësore të veprave penale serioze, të lidhura me shqiptarët dhe bandat kriminale shqiptare. Kriminelët shqiptarë janë përfshirë në trafikun e drogës, kryesisht kokainë, pastrimin e parave dhe trafikimin e qënieve njerëzore. Prezenca e tyre ne skenën kriminale po bëhet më e rëndësishme, jo vetëm sepse ata veprojnë në mënyrë efektive poshtë radarit, por edhe sepse është rritur bashkëpunimi me grupe të tjera të huaja kriminale. Eshtë e qartë se aktiviteti I tyre është një kërcënim për sigurinë e brendshme.”

Në letër theksohet se numri i të dyshuarve nga policia e Holandës është ulur nga viti 2016 kur numeroheshin 710 në vitin 2018 kur ishin 476 të dyshuar; gjithashtu theksohet se bashkëpunimi mes dy vendeve në luftë kundër krimit është përmirësuar.

Ndërkaq Holanda rendit një tjetër shqetësim që ka të bëjë me emigracionin e paligjshëm duke theksuar se në vitin 2009 janë gjetur në Holandë vetëm 75 persona që ndodheshin në mënyrë të paligjshme në Holandë krahasuar me 945 që janë kapur në vitin 2018.

Një arsye pse Holanda kërkon rivendosjen e vizave me Shqipërinë është rritja e numrit të azil kërkuesve nga viti 2009 kur ishin regjistruar 15 kërkesa për azil, në 550 azilkërkues në vitin 2018.

“Holanda i kërkon Komisionit të shqyrtojë informacionin e siguruar dhe në konsultim me vendet anëtarë të vendosë në lidhje me nevojën për të vepruar në bazë të artikullit 8 në mënyrë që të luftohen me efektivitet problemet në lidhje me shqiptarët.”

Pavarësisht kësaj kërkese shqiptarët do të vazhdojnë të lëvizin pa viza në vendet e zonës Shengen, përfshi edhe Holandën; sqarim që e ka dhënë edhe vete ambasada holandeze në një njoftim për letrën drejtuar Komisionti Europian.

Tashmë I përket Komisionit Europian të shqyrtojë të gjitha pretendimet e Holandës e të vlerësoje nëse shqiptarët mund të lëvizin apo jo pa viza në Bashkimin Europian. Komisioni mund të vendosë që ta rrëzojë kërkesën e Holandës e në këtë rast ky debat mbyllet. Por nëse komisioni I vlerëson të drejta shqetësimet atëherë vendimi për rikthimin e vizave kalon të vendet anëtare; rikthimin e vizave mund ta vendosin ato me shumicë të cilësuar ndërkohë që duhet ta votojë edhe Parlamenti Europian.