Ish-gruaja e pronarit të Amazon dhuron gjysmën e pasurisë për bamirësi

417

Para pak muajsh ajo u bë një nga gratë më të pasura në botë dhe tani ka vendosur që gjysmën e pasurisë së saj ta dhurojë për bamirësi.

MacKenzie Bezos, ish bashkëshortja e njeriut më të pasur në Botë, Jeff Bezos është bërë së fundmi pjesë e fushatës “Giving Pledge”, e filluar për herë të parë në vitin 2010 nga Warren Buffet dhe Bill Gates dhe që ka si qëllim të çojë përpara luftërat për arsimimin, shëndetësinë, barazinë sociale dhe ndryshimet klimaterike. Ndarja e çiftit erdhi pas 25 vitesh martesë duke e bërë MacKenzie miliardere me një pasuri që vlerësohet të arrijë 36.6 mld USD.

“Kam një shumë joproporcionale parash për të ndarë me të tjerët dhe nuk kam asnjë dyshim për vlerën e madhe që jepet nga impulsi për të dhënë dhe ndarë.”, shkruan në letrën e saj të dhurimit ish bashkëshortja e Bezos.

Pronari i Amazon, Jeff Bezos e vlerësoi iniciativën e ish bashkëshortes së tij, duke thënë se ajo do të jetë një filantrope shumë e mirë. Megjithatë, burri me pasurinë më të madhe në botë ende nuk i është bashkangjitur kësaj fushate bamirësie.