Rregullat e reja përgjysmojnë importin e automjeteve

392

Importi i automjeteve nga jashtë u përgjysmua në katër muajt e parë të vitit duke shënuar një nga rëniet më të forta në terma vjetorë. Të dhënat zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, tregojnë se për periudhën janar-prill të këtij viti u importuan vetëm 8900 automjete në total nga 16 mijë që ishte shifra për të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Statistikat tregojnë se pjesa më e madhe e rënies ka ardhur nga automjetet e përdorura. Në fund të vitit të kaluar, qeveria miratoi një vendim, I cili ndaloi importin e makinave me moshë mbi 10 vjet.

Vendimi, i cili qëndroi në fuqi për vetëm dy muaj, deri në fund të shkurtit, duket se është arsyeja kryesore se pse shqiptarët kanë blerë më pak makina këtë vit. Por jo e vetmja.

Të dhënat zyrtare tregojnë se paralelisht me mjetet e përdorura ka rënë edhe importi i automjeteve të reja. Sipas doganave në janar-prill të këtij viti, Shqipëria importoi vetëm 789 makina të reja ose 20 për qind më pak se sa e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

Shitjet e automjeteve, veçanërisht atyre të reja, janë një tregues i rëndësishëm për gjendjen e ekonomisë, pasi lidhen drejtpërdrejtë me besimin e konsumatorit. Arsyeja është e thjeshtë. Familjet shpenzojnë më shumë para për makina kur janë në një situatë të favorshme financiare dhe ulin blerjet kur përballen me rënien e të ardhurave apo kanë pritshmëri negative për të ardhmen.