Shpërndahet karta e studentit, Rama e Veliaj: Premtim i mbajtur

394

Nisi këtë të hënë shpërndarja e Kartës së studentit në Fakultetin Ekonomik, në Tiranë. Përmes saj, studentët do të kenë lehtësira në 62 shërbime të ndryshme publike dhe mbi 40 kompani private që nga bankat, telekomunikacioni, transporti, supermarketet, njësitë e shërbimit kulturor, kinematë, teatrot, sporti.

Kryeministri Edi Rama se bashku me kryetarin e Bashkise se Tiranes Erion Veliaj ishin me studentet e Fakultetit Ekonomik, një pjesë e të cilëve janë dhe vetë pjesë e stafit të angazhuar në këtë proces.

“Secila prej studenteve ka një monitor pasqyrë, pra shikon se çfarë po bën dhe punonjësja jonë. Një pjesë e stafit që kemi marrë për karta janë vetë studentë. Merret një kartë bosh fillimisht skanohet bar kodi që mund të përdoret në çdo dyqan dhe në çdo shërbim tjetër. Pastaj vihet për printim me të dhënat e çdo studenti, ku jep të dhënat personale, zgjedh sa herë do të informohet për ofertat. Përveç mbi 62 shërbimeve shtetërore, kryesisht bashki, ministri e kulturës, kemi sot mbi 40 kompani, nga të cilat kompani celularësh, që do të bëjnë ofertat e tyre, bankash që do të mund të transferojnë lekët, në aplikacionin e kartës, kompani sportive, veshjesh, elektronike, librari, etj. Kështu që, deri javën tjetër, ne do të kemi më shumë privat që janë bërë partnerë të kartës, se sa c’kemi pasur shërbime në publik.

Po fillojmë tek fakulteti ekonomik, vazhdojmë tek juridiku dhe tek gjuhët e huaja. Do të funksionojmë pak a shumë, si kompania që jep kartat e identitetit. Pra, me të mbaruar fluksin e madh, ne nuk do të vazhdojmë të mbajmë nga tre sportele. Në momentin që ka mbaruar 90 % e studentëve dhe dikush e ka humbur prej sezonit do të kemi për të gjithë grupin e studentëve tek rruga e Elbasanit, një zyrë permanente. Për gjithë grupin e fakulteteve tek shkencat një zyrë aty. Për gjithë universitetin bujqësor prapë një zyrë. Kemi rreth 100 mijë karta për rreth 80 mijë studentë. Kështu që, parashikojmë deri në fund të muajit shumica ta kenë marrë. Të gjithë studentët përveç kësaj do të kenë dhe versionin elektronik, që nga e hëna bëhet aktive.

Thjesht do ta skanojnë, nëse i humbet karta fizike, ose nëse preferojnë të kenë një gjë më pak në xhep. Kështu që më shumë është sistemi që ka rëndësi, sesa copa e plastikës. Në fund do të kemi një database me të gjithë emailet dhe celularët dhe kush do të informohet vendos një herë në muaj ose një herë në javë për të gjitha ofertat ose për të gjitha komunikimet që do të bëjë universiteti apo ministria e arsimit në të ardhmen, bashkia për një event, etj. Studentët e vitit të parë e marrin për tre vite. Studentët e vitit të dytë për dy vite dhe studentët e viti të tretë apo të masterit, e marrin në tetor deri sa mbaron afati i tyre. Duke filluar nga sot çdo pikë që ofron këtë shërbim do të ketë një stiker që thotë “këtu pranohet karta e studentit.”

Ndërkohë, Kryeministri Edi Rama tha se është e rëndësishme që gama e shërbimeve që do të merren përmes kartës do të pasurohet edhe më tej në të ardhmen.

“Faleminderit që nuk po protestoni pse ka radhë. Kjo është shenjë e rëndësishme durimi. Sigurisht që për të bërë mbi 80 mijë karta do të duhet pak durim sepse praktikisht koha e llogaritur është deri në fillim të korrikut, por ma ha mendja se bashkë me fakultetet dhe universitetet do të krijohet një sistem ku grupet vijnë njëri pas tjetrit dhe mund të eliminohet ai fluksi i madh. Ajo që është më e rëndësishmja besoj unë është se, në ndërkohë janë vendosur bazat për të bërë një bashkëpunim në funksion të eficensës së kartës, jo vetëm me bashkitë, por edhe me sektorin privat, që do të thotë që karta nuk do të ketë vetëm ato përfitime që u takojnë studentëve në bazë të tarifave të reduktuara për muzeume, për hapësira të tjera dhe shërbime të tjera publike, deri tek transporti publik, por edhe përfitime nga marrëveshjet me kompanitë. Me kompani që ofrojnë shërbime të ndryshme, të cilat do vijnë besoj shumë duke u shtuar. Për momentin janë mbi 40 kompani private. Ndonjë le të themi gamë të larmishme, që nga kompanitë që shesin këto uniformat sportive, tek kompanitë që ofrojnë shërbime të tjera, deri tek bankat dhe kompanitë celulare. Kështu që është një proces që do ta pasurojë gamën e shërbimeve që mund të merren nëpërmjet kartës. Do thoni ju, tani po pse u mor kaq kohë për këtë punë? Në fakt, është një histori pak e ngatërruar sepse normalisht në bazë të ligjit për arsimin e lartë, duhet që vetë universitetet ta ndërmerrnin këtë proces, duhej që vetë rektoratet të ishin në punë dhe të lidhnin gjithë marrëveshjet me qoftë pushtetin vendor, qoftë edhe institucione të tjera dhe kompanitë. Kjo nuk ndodhi dhe në vend që të vazhdonim që të përsërisnim “bëjeni bëjeni”, e morëm përsipër, falë edhe shtytjes që na dhatë ju, që me të drejtë në fakt, thatë, “ne nuk ka rëndësi se kush do ta bëjë, ne duam kartën”. Kështu që sot, është fakt që karta ka filluar të prodhohet dhe në ndërkohë, në shembullin e parë që u krijua falë edhe punës së bërë nga bashkia e Tiranës, do ta zhvillojmë kartën edhe në bashkitë e tjera. E kanë gati edhe eksperiencën, edhe sistemin, mjafton që ta vënë atë në punë. Ne do t’i shtyjmë, do t’i nxisim, e nëse nuk do na dëgjojnë, do ju lutemi dhe ju që të bëni një protestë tjetër tek dera e bashkisë dhe “duam kartat tona, duam kartat tona” dhe kjo gjë do realizohet. Ju falënderoj edhe juve që jeni këtu, por dhe ata që nuk janë këtu, që janë pjesë e këtij zhvillimi pozitiv sepse po të mos ishte protesta juaj, sot nuk do ishte as karta. Në fund të fundit, kjo është dhe e bukura e sistemit që kemi zgjedhur, demokracisë, ku qeveria nuk prezumohet as që i di të gjitha dhe as që duhet lënë rehat që të bëjë gjërat siç i di, por prezumohet që qytetarët, jo vetëm kur japin votën, por dhe gjatë gjithë procesit qeverisës, kanë zërin e tyre dhe lum ata që kanë një qeveri që i dëgjon, siç lum ju që na keni ne që ju dëgjojmë e do ju dëgjojmë vazhdimisht. Shumë faleminderit!

Procesi i aplikimit për kartën zgjat vetëm 4 minuta dhe deri në javën e parë të korrikut parashikohet që të bëhet kompletimi i të gjithë studentëve.