Kryeministri grek kërkon zgjedhje të parakohshme parlamentare. Po kryeministri Rama?

325

Në Austri, kryeministri dha dorëheqje vetëm se doli një video e zv/kryeministrit të tij në një bisedë me një biznesmene ruse, ku po flisnin për mbështetje financiare të saj ndaj partisë së numrit dy në qeveri. Dhe deklaroi zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Po kështu kryeministrja britanike May dha dorëheqjen për mosrënie dakord për Brexit brenda parlamentit. Ndërsa mbrëmë kryeministri grek deklaroi zgjedhje të parakohshme vetëm se nuk doli mirë në zgjedhjet europiane.

Nuk kishte lidhje fare me zgjedhjet në Greqi për pushtetin politik, por moralisht ai e ndjeu se duhet t’i drejtohet popullit që të vendosë me zgjedhje të reja.
Kryeministri grek Alexis Tsipras ka pranuar pak para mesnatës së të dielës rezultatin e zgjedhjeve për Parlamentin Europian dhe ka deklaruar se në fund të javës tjetër do të shkojë te presidenti i vendit për të kërkuar zgjedhje të parakohshme në fund të muajit qershor. “Menjëherë pas raundit të dytë të zgjedhjeve lokale do t’i kërkoj Presidentit të Republikës shpalljen e menjëhershme të zgjedhjeve kombëtare”, tha Tsipras.

Vota e grekëve ka nxjerrë fitues për zgjedhjet e Parlamentit Europian konservatorët e “Demokracisë së Re”, të cilët kryesojnë me 32.27%, gati 9.4 pikë më shumë sesa partia qeveritare, dhe udhëheqësi i tyre Kyriakos Mitsotakis ka kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Tsipras. “Kryeministri duhet të marrë përsipër përgjegjësitë e tij. Për të mirën e vendit, ai duhet të dorëhiqet dhe vendi të shkojë në zgjedhjet kombëtare sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha Kyriakos Mitsotakis, kreu i “Demokracisë së Re”.

Greqi, Mitsotakis shpall fitoren dhe kërkon dorëheqjen e Tsiprasit.

Ndërsa në Tiranë kryeministri Rama nuk jep dorëheqjen dhe nuk pranon të shkohet në zgjedhje të parakohshme parlamentare edhe kur ka protesta të mëdha popullore kundër tij dhe është akuzuar se ka blerë votat me bandat kriminale.

Si ka mundësi që Britania e Madhe, Austria dhe Greqi fqinje vendosin për dorëheqje dhe zgjedhje të parakohshme, ndërsa në Tiranë nuk duan t’ia dijnë fare? Si ka mundësi që PS-ja dhe direkt Edi Rama nuk pranojnë të testohen në elektorat pas këtyre fakteve skandaloze me korrupsion, vjedhje votash, mungesë zhvillimi ekonomik, etj. dhe nuk pranojnë ti drejtohen popullit?

Si ka mundësi kur edhe Gjermania, lokomotiva drejtuese e BE, i kërkon shtyrjen e zgjedhjeve vendore, pasi nuk mund të zhvillohen pa opozitën dhe Edi Rama nuk don t’ia dijë? Si ka mundësi kur po afron përplasja e madhe civile me datë 30 qershor dhe kryeministri nuk lëshon pe dhe as nuk don t’ia dijë?

Ka një përgjigje: Nuk e lenë të iki pikërisht oligarkët dhe grupet kriminale, sepse po marrin me firmën e pushtetit edhe ato pak koncensione dhe tenderime që kanë mbetur.