Profesoresha amerikane revoltohet me studentët protestues: ‘Nuk digjen librat!’

361

Një grup studentësh janë grumbulluar përballë Ministrisë së Arsimit sepse ndihen të mashtruar nga qeveria. Ata nuk besojnë se kushtet e vendosura në dhjetor janë plotësuar dhe po protestojnë sërish, këtë herë dhunshëm.

Disa thyen xhama të godinës së Ministrisë së Arsimit duke hedhur gura, disa hodhën tymuese dhe disa dogjën fletët e paktit të universitetit.

E pranishme ishte dhe profesoresha dhe studiuesja amerikane Lori Amy. E acaruar, ajo u bërtet studentëve në anglisht: “Mjaft dogjët libra. Nuk ngrihet kështu një universitet. Shkruani libra, lexojini, por mos i digjni. Çfarë dreqin mendoni se po bëni?!”

Ndërkohë, ministrja e Arsimit, Besa Shahini u prononcua për xhamat e thyer. “Ishte një trishtim për mua, por edhe një cënim i rëndë i imazhit të Studentit Protestues, para Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, një grusht individësh partiakë e rrëmbyen me dhunë masën e vogël të studentëve duke e kthyer në një sfond dhune […]”