Studentët paralajmërojnë protesta masive, shkak bursat.

359

Studentët e universiteteve publike vazhdojnë të përballen me problemin e bursave. Ata thonë se kanë kaluar më shumë se dy muaj dhe ende nuk është bërë shpërndarja e tyre, duke i shtyrë të rinjtë në protesta sërish, madje duke nisur nga nesër. Ilir Mema, student i vitit të tretë në fakultetin e Historisë dhe Filologjisë thotë se hera e fundit që ka marrë bursën, ka qenë muaji shkurt. “Po bëhen gati tre muaj që nuk kemi marrë bursën. Unë prej vitesh trajtohem me bursë për shkak të kushteve ekonomike. Duhet të na e kishin kaluar me kohë në llogari, të paktën në muajt mars-prill”, sqaron ai. Më tej, ai shton se nga sekretaria e fakultetit deri më tani nuk është dhënë asnjë përgjigje. “Si gjithmonë, asnjëherë nuk ka përgjigje për kërkesat tona. E vetmja gjë që na thonë është të presim pa asnjë shpjegim. Për këtë dhe arsye dhe shumë të tjera, do të rifillojmë protestat për 22 maj. Uroj që t’i nisim për të mos i përfunduar më, nëse nuk ka një zgjidhje”, përfundoi ai.

Fakultetet e tjera

E njëjta situatë paraqitet edhe në fakultetin e Ekonomisë, ku për më shumë se dy muaj llogaritë e studentëve janë bosh. Klevisa Hysa, thotë se mos marrja e bursës e ka bërë të pamundur përballimin e shpenzimeve. “Unë jam me ndihmë ekonomike dhe më shumë se kushdo tjetër kam nevojë që ta marr bursën në kohë. Deri më tani askush nuk na thotë gjë. Kjo vonesë është e patolerueshme. Askush nuk na shpjegon se çfarë do të bëhet me ne. Jemi shumë të shqetësuar, pasi nuk kemi mundësi të përballojmë shpenzimet”, thotë ajo. Hysa deklaron se deri më tani asnjë nga premtimet e qeverisë për studentët nuk është plotësuar. “Me gjithçka që ka ndërmarrë Kryeministri dhe Ministria e Arsimit, thjesht ka çorientuar universitetin. Të gjitha VKM-të e nxjerra nuk e kanë ndihmuar studentin, por e kanë vështirësuar edhe më shumë rrugën tonë. “Pakti”, do të mbetet një ndër vendimet aspak profesionale të arsimit në vend, duke dëshmuar vetëm dështime, për aq kohë sa nuk është plotësuar asgjë nga ato që ai përmban”, nënvizoi studentja.

Kërkesa
Lidhur me problemin e bursave, por edhe mosplotësimin e pikave të tjera, të cilat u përpiluan nga të rinjtë në dhjetorin që lamë pas, i ka bërë ata që të vendosin për organizmin e një proteste më të njëjtat përmasa në 22 maj (nesër). Për këtë arsye, të rinjtë u kanë dërguar edhe një letër të hapur pedagogëve të universiteteve publike. Ata i njoftojnë për protestën dhe kërkojnë mbështetje prej tyre. “Të nderuar pedagog! Ne, studentët e dhjetorit 2018 kemi vendosur të rinisim protestat për të drejtat tona para Ministrisë së Arsimit. Pas tre muajsh letargjie, ne vendosëm të marrim në dorë fatet tona në shenjë revolte ndaj pabesisë së këtij pushteti ndaj nesh, talljes dhe maskaradës që “Pakti për Universitetin” ndërtoi mbi idealet tona të dhjetorit.

Të vetëdijshëm mbi pritshmëritë e mëdha që shoqëria shqiptare ka për studentët , Ne ju bëjmë thirrje të na mbështesin në këtë rrugë të re që mëton një arsim cilësor dhe një Shqipëri më të lirë dhe demokratike. Të vendosur në kauzën tonë, Ne ju sugjerojmë që lufta jonë nuk do të zhvillohet kundër individëve, nuk do të jetë një gjueti shtrigash, por një betejë pa kthim ndaj një sistemi arsimor të rrënuar prej Ligjit famëkeq për Arsimin e Lartë. Ne kërkojmë ndihmën tuaj në radhë të parë si prindër e më pas si profesionistë dhe pedagogë për ta nxjerrim arsimin shqiptar nga kjo hulli e tmerrshme dhe shkatërrimtare ku është futur vitet e fundit”, shkruajnë ata.

Problemi

Një tjetër problem i studentëve ka qenë edhe mos marrja e bursës për muajin shkurt. Në lidhje me muajin janar, u bë me dije se bursat për studentët e ekselencës do të plotësohen në muajin korrik. Financat e fakultetit të Ekonomisë sqaruan për “Shekulli”-n pak kohë më parë, se studentët e ekselencës do të marrin pjesën e janarit në muajin korrik. “Ligji në fuqi ka hyrë pas janarit, por një pjesë e fakulteteve, siç është Ekonomiku kanë bojkotuar dhe nuk do të kompensohen për muajin janar, por do të kompensohen vetëm për ditët që kanë bërë mësim. Ditët e mbetura do të kompensohen me muajin korrik dhe pagesat normale prej 10 mijë lekësh do të nisin me datën 20 mars. Pra, në 20 mars do të merret muaji shkurt, ndërkohë janari do jetë vetëm 1200 lekë, pjesa tjetër do merret në korrik. Sa i takon studentëve të kategorive në nevojë, ata nuk kanë bërë dorëzimin e dokumenteve, ndaj ka ndodhur kjo vonesë, deklaroi financa, pak kohë më parë.