Kosova s’duhet të nxitojë për marrëveshjen me Serbinë, duhet të vendosë kushte

390

Historiani Frashër Demaj e ka komentuar Samitin e Brdo-Brijunit që është mbajtur gjatë ditës së djeshme në Tiranë duke treguar se çfarë qëllimi ka ky samit për vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Takimi i Brdo-Brijunit është vazhdimësi e Samitit të Berlinit, por edhe takimeve të tjera me pretendim për të qartësuar situatën dhe në një formë për të rehatuar Ballkanin”.

“Me dekompozimin e Jugosllavisë pretendohej që situata në Ballkan do të rehatohej. Mirëpo realisht po shihet që në mesin e shumë shteteve pothuajse është vetëm Serbia që nuk ka ndërruar qasje dhe vazhdon të ketë një politikë të njëtrajtshme duke doktrinuar ide nacional-shoviniste në raport me popujt e tjerë”.

“Ka kaluar një kohë e gjatë që nga prishja e Jugosllavisë dhe popujt e atij shteti të përbashkët nuk kanë marrëdhënie të mira mes tyre”.

Demaj në Sytë 7 në Klan Kosova ka thënë se Kosova nuk duhet të ngutet për marrëveshjen përfundimtare me Serbinë, por duhet të vendosë kushtet e veta.

“Serbia gjithmonë ka pasë tendencë ndaj Kosovës, por që nga viti 2008 pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, Serbia si detyrë prioritare i ka dhënë vetes që të mos e lejojë Kosovën të funksionojë si shtet dhe sipas mendimit tim deri diku ia ka arritur”.

“Serbia është ndihmuar edhe nga ana jonë nga mosdija për të bërë politikë dhe diplomaci. Në Kosovë nuk ndodhin ngjarje të mëdha që e bëjnë optimiste qytetarinë e këtij vendi që diçka ka filluar të kthehet për së mbari”.

“Institucionet e Kosovës po bëjnë gabim sepse Kosova nuk ka nevojë të nxitojë për ta bërë marrëveshjen me Serbinë. Kosova mund të pretendojë dhe punojë për t’u ngjitur në të gjitha fushat, por nuk duhet të lejojë që Serbia ta mbajë peng Kosovën”.

“Serbia nuk mund të anëtarësohet në Bashkimin Evropian me problemet me Kosovën dhe para se të bëhet një marrëveshje duhet të detajizohen disa gjëra”.

“Pala kosovare nuk duhet ta marrë me nxitim marrëveshjen Kosovë-Serbi. Kosova duhet të vendosë kushte për dialogun, duhet t’i shfrytëzojë miqtë ndërkombëtarë dhe duhet të interesohet më shumë për popullsinë shqiptare që jeton në Luginën e Preshevës”.

“Qeveria e Kosovës duhet të bëjë presion te Serbia që minimalisht shqiptarët e Luginës të kenë të drejtat që serbët i gëzojnë këtu”.

Ai ka folur edhe për interesimin e Gjermanisë dhe Francës për të qenë pjesë e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

“Fuqizimi i Rusisë cënon interesat e SHBA-së në rajonin e Evropës. Partnerët kryesorë të SHBA-ve janë Franca dhe Gjermania historikisht, pa përjashtuar  edhe Britaninë e Madhe”.

“Duke qenë se Britania e Madhe doli nga BE-ja, vendet kryesore të BE-së janë Gjermania dhe Franca që gjithsesi nuk jam i prirur të mendoj se lëvizjet e mëdha diplomatike që i ndërmerr Gjermania, Franca ose të dyja bashkë janë pa dakordim me SHBA-në”.

Historiani Demaj ka thënë se nuk e beson që Berlini do të sjellë marrëveshjen përfundimtare me Serbinë.

Megjithatë ai ka thënë se Samiti i Berlinit ka qartësuar disa gjëra.

“Në Samitin e Berlinit pamë dy qasje, njëra ishte e kryeministrit shqiptar Edi Rama në sinkron të plot me presidentin kosovar Hashim Thaçi. Qasja tjetër ishte opozitare që bartëse e kësaj ideje është kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili në një mënyrë kur u kthye nga takimi i Berlinit bëri publike disa presione që i janë bërë nga presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Edi Rama për të hequr taksën ndaj Serbisë”.