Dita e Dëshmorëve në Kosovë, Thaçi e Haradinaj “mesazh” Serbisë dhe ndërkombëtarëve

389

13500 shqiptarë kanë mbetur të vrarë nga Serbia në të gjithë Kosovën. Kështu tha Presidenti Hashim Thaçi gjatë fjalës së tij në një ceremoni për Ditën e Dëshmorëve, ku u përkujtuan në Pejë 183 dëshmorë të rënë gjatë luftës së Kosovës.

Sipas Thaçit, pavarësisht se kanë kaluar 20 vjet nga lufta, drejtësia e ende nuk e ka thënë fjalën e vet. “13 500 civilë janë vrarë, janë kryer rreth 400 masakra anekënd Kosovës, rreth 20 000 dhunime kundër grave shqiptare, e që drejtësia ndërkombëtare ende nuk e ka thënë fjalën e vet, apo kemi të bëjmë me një zero drejtësi”, u shpreh Thaçi. “Unë kam besim që Parlamenti i Kosovës në një të ardhme të afërt do ta nxjerrë rezolutën për gjenocidin në Kosovë dhe gjithë kryerësit e krimeve do të ballafaqohen me drejtësinë”

Drejtësi për gjenocidin serb kërkoi edhe Kryeministri Ramush Haradinaj. Mohimi i krimeve nga ana e Serbisë, sipas tij, duhet të jenë alarm për Europën dhe Shtetet e Bashkuara. “Është i gabuar pozicioni i Serbisë për t’i mohuar krimet, është tepër gabim, nuk shkohet kështu përpara”, tha Haradinaj. “Janë mbi 400 vend masakra në Kosovë, gra, fëmijë e pleq, të gjitha besimeve. Mohimi i krimeve duhet të jetë alarm edhe për Europën dhe Amerikën, ai që i mohon po e bën terrenin t’i bëjnë prapë, nuk guxon bota e qytetëruar, ajo që u ngrit në këmbë e i bombardoi Serbinë t’ia lejojë udhëheqjes së Serbisë t’i mohojë ato krime, është tepër e padrejtë. i bëj thirrje krejt kryeqyteteve të BE-së dhe Uashingtonit zyrtar që të mos lejojmë udhëheqjen e  sotme të Serbisë t’i mohojë krimet. Parlamenti ynë, populli jonë nuk do ta lejojmë kurrë këtë”, tha ai.