Vrasja e dyfishtë në Laç, policia identifikon dy autorët e dyshuar

514

Policia ka mundur të identifikojë dhe ka shpallur në kërkim dy autorët e dyshuar të vrasjes së dyfishtë që ndodhi mbrëmjen e së dielës në qytetin e Laçit, ku mbetën të vrarë dy kushërinjtë Mikel Jushi, 35 vjeç dhe Jani Jushi 30 vjeç.

Nga të dhënat paraprake hetimore, policia ka identifikuar dhe shpallur në kërkim, dy persona, Vincens Pali dhe Markel Bushi, si autorë të dyshuar të vrasjes së dy kushërinjve.

Sipas dëshmitarëve në vendngjarje, konflikti i armatosur mes personave të implikuar në këtë ngjarje dyshohet se ka nisur për motive banale dhe debateve të lindura gjatë kohës që ishin në lokal. Për të gjeneruar më pas në përlasje me armë, që rezultoi fatale për dy kushërinjtë Jushi.

Gjithsesi, policia dhe prokuroria po vazhdojnë hetimet për të zbardhur plotësisht motivet e kësaj ngjarje të rëndë që tronditi Laçin mbrëmjen e së dielës.

Ndërkohë, një nga të dyshuarit, Markel Bushi, rezulton person me precedentë të mëparshëm penalë dhe i njohur në skedarët e policisë, pasi kërkohej për plagosje me armë dhe vjedhje me dhunë.

Tashmë, emrat e dy të dyshuarve u janë shpërndarë shërbimeve policore si dhe në të gjitha kalimet e pikave kufitare të vendit.