Krimi sundon Shqipërinë, 23 atentate me 29 viktima në vitin 2019

405

Krimi vazhdon të bëjë ligjin në Shqipëri. Për vitin 2019 janë regjistruar 23 atentate, ndërsa janë shënuar 29 viktima.

STATISTIKAT E KRIMIT

Statistikat janë të errëta: nëse në tremujorin e parë të vitit 2018, në Shqipëri, ndodhën 12 vrasje, këtë vit në periudhën janar-mars kanë ndodhur 22 vrasje.

Katër muajt e fundit, kanë rezultuar me dyfishin e vrasjeve në raport me atë të vitit të kaluar.

Ajo që e bën alarmante situatën, është fakti që krimi dhe vrasjet e planifikuara me sfond mafioz kanë një shtrirje gjeografike në të gjithë vendin.

LISTË E GJATË

Lista e emrave të viktimave është e gjatë. Në 30 janar të këtij viti kryeqyteti u trondit nga vrasja mafioze e Arben Bilalit, autorët e së cilës ende nuk dihen.

Tetëmbëdhjetë ditë më vonë, Vlora u trondit nga një tjetër vrasje mafioze ku viktimë mbetën Aurest Rexho dhe Arjan Hasani, ndërsa u plagos Armando Sulejmani, që dyshohet se ishte shënjestra e atentatit.

As për këtë ngjarje nuk dihen autorët.
Një ditë më pas në Tepelenë u zbulua një tjetër krim. Sokol Rama i zhdukur prej 6 shkurtit u gjet i ekzekutuar nga shoku i tij Roland Milo, i cili u vu në pranga.
Më pas, në 16 dhe 18 mars, kryeqyteti u trondit sërish nga dy vrasje. Të vdekur nga plumbat mbetën Haxhi Baçinozi dhe Jurgen Kurti, ngjarje për të cilat policia ka venë në pranga autorët.

GJEOGRAFIA E VRASJEVE

Krimi zhvendoset në Theth, aty ku më 20 mars u vra në një atentat Nard Polia, për të cilin policia ka arrestuar tre persona dhe ka shpallur në kërkim autorin e dyshuar.

Vetëm dy ditë më vonë, më 22 mars u ekzekutua në një lokal në Elbasan avokati Ravik Gurra. Për këtë ngjarje nuk ka ende asnjë të dyshuar. Tronditëse për opinionin publik ka qenë vrasja në derë të shtëpisë te vëllezërve Astrit dhe Ibrahim Bilali në Shkodër, më 30 mars, e cila u zbardh nga policia dhe tashmë në pranga dy persona dhe një tjetër është shpallur në kërkim.

Ngjarja e fundit kriminale u shënua në Laç, ku viktimë mbetën Kelvin dhe Erion Jushi, ndërsa autorët njihen dhe janë në kërkim.