Shqiptarët e ISIS do rikthehen, institucionet marrin masa për rehabilitimin e tyre

413

Ashtu si Kosova edhe institucionet Shqiptare po punojnë për kthimin e luftëtarëve të huaj apo familjarëve të tyre që ndodhen në Siri dhe Irak. Pas një takimi për bashkëpunimin rajonal në Tiranë, drejtori i qendrës kundër ekstremizmit Agron Sojati, bëri më dije shifrat e shqiptarëve që sipas informacioneve ndodhen ne vendet e luftës.

 

 “Sipas referencave janë 30 gra, 16 fëmijë dhe 6 të moshuar. Nuk kemi një shifër konkrete për burrat. Ky është një proces që do marrë kohën e duhur pasi janë një sërë institucionesh që po bashkëpunojnë.”

 

Sojati tha se baza ligjore në Shqipëri ngarkon me ndjekje penale çdo person që merr pjesë në luftë jashtë territorit ndërsa në takimin e mbajtur në Tiranë ishin të gjithë koordinatorët kundër ekstremizmit në Ballkanin perëndimor, përfshi edhe Kosovën që ndërmori një operacion të gjerë javën e kaluar.

 

 “Kemi kthyer edhe fëmijë jetim prindërit e të cilëve janë vrarë në luftim”

 

Qendra kundër ekstremizmit të dhunshëm ndonëse e krijuar vetëm në qershor të 2018-ës ka zhvilluar disa fushata dhe trajnime në sistemin arsimor, por edhe në institucione të tjera kundër gjuhës së urrejtjes për të parandaluar fenomenin e luftëtareve të huaj.