Tokat e shtetit do tjetërsohen, u kalojnë privateve kur ka plane të miratuara vendore

459

Qeveria po tenton ti japë zgjidhje disa problemeve të pronësisë, të cilat janë bërë pengesë për investime. Bëhet fjalë për tokat shtetërore të cilat janë të vogla në sipërfaqe, por që kufizohen nga prona private, por që nuk mund te zhvillohen dot pa këto hapësira.

Këshilli i Ministrave ka dërguar në kuvend një nisëm ligjore, e cila parashikon që këto prona ti jepen të tretëve, nëpërmjet metodës së tjetërsimit, vetëm kur ato kanë plane të miratuara vendore.

Deri më tani ligji njeh privatizimin e pronës nëpërmjet tenderit, por tashmë metoda e tjetërsimit parashikon që prona ti kalojë të tretëve vetëm pas lidhjes së kontratës, që synon kryerjen e një investimi.

Bëhet fjalë për prona të cilat janë pjesë e planeve rregulluese të pushtetit lokal.

Duke ju referuar relacionit shoqërues, këto sipërfaqe të vogla toke bëjnë të pamundur zbatimin në praktikë të planeve rregulluese të miratuara.

Në relacion argumentohet më tej se kjo është rruga më eficente nga ana e sigurisë juridike duke ofruar qëndrueshmëri dhe një adresim afatgjatë i këtij shqetësimi. Projektligji parashikon që këshillimi i ministrave të jetë ai që do të përcaktojë kushtet dhe kriteret që duhet të plotësojë kërkuesi si dhe mënyrën e vlerësimit të pronës.

Pronat janë problemi kryesor që pengojnë investimet afatgjata në vend, një fakt ky i cili na rendit negativisht edhe në raportet ndërkombëtare.