Kisha e Shirqit, dëshmi 1500 vjeçare!

800

Intervistë me studiuesin Dom Nikë Ukgjini

Gjurmët më të hershme të krishterimit ku dëshmohet organizimi i konsoliduar kishtar, në provincën e Praevalitanës, deri në shek. e IV, gjenden kudo në veri të Arbërisë: në fshatin Lohe të Malësisë së Madhe, shekulli III; në Kolovrat në afërsinë e qytetit Prijepole; në Diokle, afër Podgoricës; në Tivar, Ulqin, Shas, Shkodër etj.

Mirëpo, që nga shekulli IV e këtej, në bazë të hulumtimeve të bëra në Diokle, gjejmë aty dy bazilika nga koha e krishterimit të hershëm. Në qytetet bregdetare Lezhë, Ulqin dhe Tivar, si edhe në vendet më të vogla, siç janë Lohe, Shirq, Oblikë (në perëndim të Shkodrës),  janë zbuluar mbeturinat  e bazilikave të ndryshme nga periudha e shekullit IV e deri në shekullin VI, si dhe themelet e Kuvendit benediktin.

Për Shkodrën, si kryeqytetin e provincës, D. Farlati dhe J. Coleti  në “Illyric Sacri”, vëllimi VII, përmendin Bassusin në vitin 387 si ipeshkëv të parë të mitropolisë. Ai përmendet gjithashtu edhe në një letër të papës Sirici (384-399) rreth vitit 381. Pastaj vazhdojnë kryeipeshkvijtë: Seneci në vitin 431, Andrea 519, Stephanus 590, Joannes 598, kurse si kryeipeshkëv i fundit, përmendet Constantius në vitin 601. Për herë të parë në dioqezën e Dioklesë, takojmë ipeshkvin Evandrin (Evandrus) në vitin 450. Mirëpo historiografia nuk i ka ruajtur elementet e nevojshme  nga historia e dioqezës dhe emrat e ipeshkvijve, deri në shekullin IX, përveç emrit të Paulusit në vitin 590 dhe të Nemezionit në vitin 602. Ngjashëm me këtë, për pesë shekuj me radhë, historia flet tejet pak mbi fatin e vetë metropolisë së Shkodrës deri në vitin 1141, kur në selinë e saj nuk gjejmë më metropolitin, por një ipeshkëv të thjeshtë me emrin Georgius.

Në shkrimet e veta mbi Ulqinin, arkeologu malazez, Pavle Mijoviq, konstaton se edhe Ulqini, si një nga qytetet më të lashta në bregdetin të sotëm malazez, në kohën e Justinianit shek. VI, ka pasur “Kishën katedrale ipeshkvore ose Kishën e qytetit” si një lidhje e ngushtë e Romës me Kostandinopojën, për t’u mbrojtur nga Avarët, Sllavët dhe Bullgarët, të cilët i ishin afruar gadishullit Ballkanik.

Në këtë sfond historik duhet parë edhe Kisha e Shirqit, për të cilën jeni të interesuar në këtë intervistë. Në bazë të dokumentacionit arkeologjik dhe atyre të shkruara, kemi të bëjmë me një objekt, abaci (kuvend) e shek. VI, kushtuar, Shergjo dhe Bakut, buzë lumit Buna, të themeluar nga urdhri i Benediktin. Me pushtimin e kësaj zone në shek. e XII, nga serbet, kjo qendër fetare e kulturore ka qenë ringritur nga mbretëresha katolike azhuniane Helena, grua e Mbretit të Rashës, Stefan Uroshit I (1237-1272) me ndihmën e një abati shkodran të quajtur Pjetër Dochne, në vitin 1290 për nevojat e popullatës se kësaj zone dhe më gjerë. Rrënojat e kësaj Kishe të stilit romano-gotike, sipas Aleksandër Meksit, janë një nga monumentet më të rëndësishme të arkitekturës mesjetare në Shqipërinë e Veriut.

Është interesant fakti që ajo ka tërhequr gjithnjë vëmendjen e studiuesve të ndryshëm ndër shekuj. Pse ka ndodhur kështu, kush ka qenë interesi në këndvështrimin tuaj, që i ka joshur studiuesit për këtë objekt?

 

Për rrënojat që kanë mbijetuar nga rrebeshet historike dhe klimaterike, plot 726 vjet, kanë treguar interes të madh udhëpërshkruesit e Selisë se Shenjte në kohën e pushtimeve osmane, si,  Marin Bici në relacionin e tij, ku shprehet se para rrënimit nga ana e turqve, ka qenë Kisha më e bukur në Shqipëri! Bllokun e gurit, diplomati Austro-Hungarezë ne Shkoder, Theodor  Ippen-i, e gjeti të dëmtuar në mes të tij, pikërisht aty ku duhej të ishte edhe viti, dhe e dha vitin me hamendje, sipas shumë gjasave dhe mendimeve se viti i rindërtimit është 1293. Por mbishkrimet qenë botuar më 1875 edhe nga Augustin Theiner-i (Monumente të vjetra, II, 218), i cili i jepte sipas një relacioni që e konsideronte të Pjetër Bogdanit. Ky mbishkrim i dytë në këtë relacion, rezulton i vitit 1318. Konsulli frëng në Shkodër, Alexandre  Degrand dhe konsulli Austro-Hungarez, Theodor  Ippen, që studionin dhe merreshin më kisha të vjetra dhe rrënoja kishash në Shqipëri (1900), duke bërë  inventarin të asaj kohe dhe duke transkribuar dy mbishkrimet, përshkruan dhe  teknikën e ndërtimit dhe llojet e materialeve të ndërtimit. Po kështu interes kanë treguar në  vitin 1879, Konstantin  Jireçek dhe më pas edhe konsulli rus, Jovan Stepanovich Yastrebov,  të cilët edhe e vizitonin kishën e rrënuar (Serbia e Vjetër dhe Arbëria, f. 160).

A ka dëshmi në këtë objekt rreth invazioneve të ndryshme që kanë kaluar mbi atdheun tonë, ose më qarte a ka gjurmë të ketyre invazioneve?

Në dioqezën e Shkodrës e cila ekziston si organizimi kishtar, nga koha më e vjetër, viti 387, ardhja e sllaveve në shek. e VII sjelli shkatërrime të objekteve të përfundshme, për t‘i ringritur dhe përvetësuar ato nga shek. XII dhe në vazhdim. Më pas në shek. e XIV, kemi evazionet turke. Kisha e parë, të cilën, pas pushtimit të kalasë së Shkodrës (1478-1479) turqit e shndërruan në xhami e ndodhur  jashtë mureve të kalasë, është kisha Zoja e Këshillit të Mirë (Madonna del Buon Consiglio) të cilën në vitin 1478, turqit e quajtën Xhamia e Sulltan Mehmetit II. Pak më vonë, edhe një kishë tjetër, e cila gjithashtu ndodhej jashtë mureve të kalasë, turqit e bënë xhami dhe e quajtën “Kasem Ali Sulltania”. Në vitin 1479, edhe kisha katedrale e Shën Shtjefnit Martir, e cila gjendej brenda kalasë, pësoi të njëjtin fat si dy kishat e mëparshme. Pas konsolidimit të pushtetit turk dhe urdhrit të Sulltan Selimit II nga viti 1569, me të cilin urdhërohet, që në krejt Perandorinë, përveç në Kostantinopol, Brussi dhe Andrianopolis, të konfiskohen të gjitha pronat e kishave. Po në këtë kohë Kisha e Shergjos dhe Bachut në Shirq, që përdhunuar duke u plaçkitur e më vonë rrënuar nga turqit osmanli e populli, tashmë nën zgjedhën e pushtuesit,  u shpërnda nga frika, duke u shpërngulur në drejtime të mundshme.

Krahas shkatërrimeve, po kështu, dita-ditës, bëhej edhe më i dukshëm zgjerimi dhe shtrirja gjithnjë më e madhe e islamizimit të popullit tonë.

Sipas raportit të kardinal Santorit, nga 15 korriku i vitit 1590, botuar në “La civilta Cattolica”, në bazë të urdhrit të pushtetit turk, ipeshkvijtë e Shkodrës nuk guxonin të udhëhiqnin me ipeshkvin nga qendra e deriatëhershme, por këtë duhej ta bënin nga ndonjë famulli përreth. Kështu, sipas raportit në fjalë, ipeshkvia  e Shkodrës është udhëhequr nga kuvendi i vjetër shqiptar i bendiktinëve të Shën Sergjit dhe Bachit Martirë (S. S. Martyrum Sergii et Bachi), për të cilin Thallocsy thotë se daton që nga shekulli VI. Përndryshe, për lashtësinë e këtij kuvendi u fol edhe me rastin e shugurimit të kishës katolike të Kotorrit më 19 qershor të vitit 1166, ku në mes të tjerash thuhet: “Majo episçopus (Chalharensis) cum episcopis Lazzaro Albanensi et cum Martino Drivastensi et cum Johanne episcopo Dulcinensi, adiunctis abbatibus…et Petro abbate (archimandrita) sanctorum Sergii et Bachi…eçlesiam sancti Trifonis consecrat…”. Sipas relatorit të Selisë së Shenjtë, arqipeshkvit të Tivarit, Marin Biçit, nga viti 1610, kjo kishë madhështore mund të pranonte 3.000 njerëz. Me pushtimin nga turqit, kisha u shkatërrua përbrenda dhe u plaçkit e tëra, shprehet Biçi. Sipas dëshmisë së ipeshkvit të Shkodrës, Francisco Borcit, nga viti 1790, kjo kishë ishte më e bukura në tërë Shqipërinë !

Është një fakt historik i pamohueshëm, preferenca e sllavëve ndaj kësaj kishe. Nga leximet që kemi bërë, mësohet se në këtë kishë princër malazez dhe serbë bënin celebrimin e martesës. Kjo a ndikon që ata, në një farë mënyre, ta shohin si pronë të tyre këtë dëshmi të pazëvendësueshme historike e kulturore?

Me dyndjen e pushtuesve të popujve sllavë në shek. e VI e në vazhdim, të cilët shkatërruan çdo gjë që ekzistonte, u bënë ndryshime në përbërjen etnike të popullatës në krejt territorin e provincës së Praevalit,  ku veç më parë ekzistonte etnosi Iliro-Arberor.“Ky rrumbullakësim i vërtetë sllav i territorit të dikurshëm ilir, pasqyrohet qartë në toponimet shqiptare, ku janë shumë të shpeshtë emrat sllavë për vendet”, pohon historiani serb Vlladisllav Popoviq në artikullin e vet “Shqipëria në antikën e vonë”. Ai vazhdon: “të gjitha qytetet shqiptare mesjetare mbajnë emra shqiptarë, të cilët e kanë prejardhjen nga koha antike”.

Edhe pse ndarja e kishës në Kishën Lindore dhe atë Perëndimore ne shek. XI, nuk ishte ndarje e mirëfilltë, vete aktveprimi, shprehte tendencën e përgjithshme të largimit të këtyre dy qendrave kishtare si dhe synimin e shtrirjes së njërës në llogari të territorit të tjetrës. Kështu, gjatë  sundimit të mbretit të Zetes, Mihaillo Vojislavleviq (1052-1081), me ndihmën e madhe të papës, Gregorit VII (1073-1085), i cili për shkak të besnikërisë ndaj Kishës Perëndimore i dha atij titullin mbretëror ”Michaeli Sclavorumregi”, në vitin 1078 Dioklea me vonë e quajtur Zeta, u bë shtet i pavarur.

Me ardhjen në fronin mbretëror të shtetit të Dioklesë, mbretit Konstantin Bodinit (1081-1101), filloi zgjerimi i tij. Rreth vitit 1083, mbreti Bodin pushtoi Rasin (Rashka), pastaj bashkë me zhupanin e Rashkës, Vukanin (1082-1115), filloi të luftonte kundër bizantinëve përreth Durrësit dhe vazhdoi për pesëmbëdhjetë vite të tëra, deri  në vitin 1095.

Për shkak të frikës reale dhe rrezikimit që i kanosej juridiksionit të papës mbi Ilirikun, më 8 janar të vitit 1089, Klementi III, nxori në Romë bullën “Quia divina pietas” drejtuar ipeshkvit të Tivarit, Pjetrit, “Petro Diocliensis sedis Archiepiscopo”, me të cilën themeloi provincën e veçantë kishtare për Dioklenë, respektivisht gjallon metropolinë e dikurshme, duke i dhënë një formë të re, e shndërroi në metropolinë Diokleato-Tivarase, me Seli në Tivar.

Prej kuvendeve, më i rëndësishmi në kryedioqezen e Tivarit, ishte kuvendi i Shën Mërisë, nënës së Zotit, nga shekulli X, rrëze liqenit të Shkodrës, në të cilin ka qenë i varrosur princi diokleat Shën Gjon Vladimiri (970-1016) me gruan e vet, Kosarën, vend të cilin sot e quajnë  “Zoja e Papërlyer e Krajës”.Përndryshe, eshtrat e Shën Gjon Vladimirit, që nga viti 1215 prehen në manastirin e Shën Gjonit në afërsi të Elbasanit. Së pari, eshtrat e Shenjtit nga kuvendi i vjetër në Krajë, janë transportuar në kuvendin e Benediktinëve të Shën Shirqit dhe Bakut,  në vendin Shirq (në perëndim të Shkodrës) në të cilin janë varrosur mbretërit e Zetës: Mihajlo Vojisllavleviq, Konstantin Bodin, Dobrosllavi, i biri i mbretit Mihajlo dhe gjysmëvëllai i Bodinit, si dhe Gradihna, i biri i Branisllavit, mbret i Dioklesë.

Me ardhjen në fron të Stefan Nemanjës (1166-1196), mbretit të Rashka (Rasha) ai pushtoi Dioklenë. Kështu Dioklea hyri në përbërjen e ngrehinës së tij shtetërore. Me këtë akt u shua shteti i cili kishte ekzistuar dy shekuj me radhë. Nemanja vendosi nën sundimin e vet edhe qytetet bregdetare të Dioklesë që nga Deja e deri në Kotorr. Fisnikët dhe bujarët e Dioklesë u larguan dhe u strehuan në Zarë. Sipas gjasave, me ta u largua në Zarë, ku edhe ishte lindur, edhe vetë kryeipeshkvi i Tivarit, Gregori. Mbretërit e Rashit,- Serbisë së vjetër me titullin e Dioklesë së vjetër, për të fituar kurorën mbretërore, janë thirrur në bisedimet me Selinë e Shenjtë, duke përfshirë këtu edhe Stefan Vlladisllavin (1231-1243). Këtu ndërpritet tradita e mbretërisë Diokleate…

Me ardhjen në pushtet të mbretit Stefan Dushanit të Fuqishëm (1331-1355), të birit të mbretit Uroshit III Deçanasit (1321-1331) dhe së ëmës Teodora, për të cilën disa pohojnë se ishte me origjinë shqiptare, që nga viti 1345 situata politike dhe kishtare ndryshoi me të madhe në çdo aspekt.. Gjatë kohës së sundimit të tij, Mbreti Dushan e ngriti shtetin feudal serb, i cili që nga viti 1219 e kishte edhe kishën e vet serbo-ortodokse autoqefale. Ai  në kulmin e fuqisë dhe  të lavdisë kishte pushtuar, Shkodrën, Durrësin në vitin 1347, dhe krejt Arberine dhe Greqine.

Në kohën kur po mbaheshin bisedimet me Selinë Shenjte për ndërprerjen e persekutimit të katolikëve në moshën e pjekurisë, në vitin 1355, mbreti vdes dhe pushteti i kaloi të birit, Stefan Uroshit IV (1355-1371).  Ai nuk ishte i zoti  ta mbante nën pushtet mbretërinë e të atit, të cilën ai e kishte ngritur shumë shpejt, ndaj ajo filloi të shkatërrohej menjëherë. Këtë shkatërrim të një shteti artificial e shfrytëzuan fisnikët shqiptarë, Balshajt I-III, për të marrë nën zotërim mbretërinë e Zetës, çka edhe u shkoi për dore në kohëzgjatje prej 61 vitesh (1360-1421).

Këto janë fakte të pamohueshme historike. Prandaj vizitat e patriarkut Irenejit, Kryepeshkopit Amfilohije dhe të tjerëve të kishës serbe në vitin 2013 e në vazhdim, janë të mirëpritura si dhe ndokush tjetër,  por ADN-ja shqiptare dhe romane nuk mund të ndryshojë edhe pse një prift serb bën veprimtari liturgjike kishtare apo vizita kortezie. Historia dhe faktet e saj janë shumë kokëforta. Ato patjetër vërtetojnë se kohë shumë më përpara se të kishte kisha të serbëve, ka patur kisha dhe besim të shqiptarëve, madje  edhe gjatë pushtimeve të tyre ne trevat Arbërore. Kjo është dhe e vërteta historike, dhe religjionare. Të tjerat janë sulme shovene të zakonshme serbe.

 Shumë është folur se në truallin e kësaj kishe dhe në afërsi ka patur varreza si dhe objekte të tjera që lidheshin me të. Po kështu, është shkruar se në shtratin e Bunës ka gurë e rrënoja të saj. A mendoni se është me interes që të organizohen ekspedita arkeologjike, për të gërmuar në hapësirën pranë kësaj kishe si dhe në shtratin e Bunës?   

Afro 20 km nga Shkodra, në anë të majtë të Bunës, gjendet pak çka ka mbetur nga Kisha e Shirqit, apo siç e quante Aurel Plasari:- “Bizhuja e humbur e Shirgjit”… Kisha me stil romantiko-gotik, e vendosur në një pozicion përrallor. Kjo kishë e ndërtuar në shek.. VI dhe e rikonstruktuar në 1290-tën nga francezja, Helena e Rashës, princesha e Bizantit dhe vajza e perandorit latin, Balduin, e cila ka qenë një ndër figurat më të lidhura me Kishën e Shirqit. Pikërisht këtu ajo ka bërë kurorëzimin e saj. Imzot Marin Biçi në relacionin e tij të 1610-s shkruante :- “Ishte me një strukturë të madhërishme, në gjendje të nxinte brenda 3.000 vetë dhe stolisur me piktura shenjtërish të cilëve turqit ua kishin nxjerrë sytë, përpos Shën Gjergjit dhe Shën Mhillit, mbasi këta dy shenjtër nderoheshin edhe prej tyre” . Në vitin 1685, në qelën e saj Pjeter Bogdani mund të këtë radhitur faqe të tera të “Çeta e Profetëve”. Sot e vetmja pjesë që i reziston vendosmërisht kohës është një fasadë, sepse edhe eshtrat e princave të varrosur pranë saj, i ka marr lumi. Duket sikur i reziston kohës për ti thirre ndërgjegjes dhe për tu  treguar brezave se ajo çka shkruhet në letrat e dhjetëra studiuesve ka ende gjurme. Se ka gjurmë të vjetra për rreth e rrotull, dëshmojnë edhe banorët e moshuar, të cilët me rastin e uljes se nivelit te ujit të lumit Buna, në thellësinë e lumit kanë vërejtur shumë herë objekte të shumta, të paidentifikuara deri tani. Po kështu edhe gjatë punimeve të tokave të tyre ne afërsi te saj. Në një rast një vizitor, që ndërkohë po  mbërrinim në Kishën e Shirqit përmes një rruge që na shkundi pak, u shpreh -“Çfarë mrekullie është kjo zonë, sa emocion me jep” dhe unë përgjigja: “ Është toka që zgjodhën princat”.  Unë besoj se shumë do të thotë për një popull që të këtë një objekt të tillë trashëgimie kaq të lashte e kaq atraktiv buzë një lumi, ku në histori ka pasur shumë gjallëri edhe më lidhjet ndërkombëtare, nëpërmjet Adriatikut. Nga e kaluara mësojmë se kah fundi i shekullit XVI, ky vend për shumë kohë ishte qendër e rëndësishme e panaireve “panairio S. Sergii de Zenta”, por që turqit e shkretuan deri në themel.

A jemi të ndërgjegjshëm për këtë rëndësi, më qartë shteti a është i  bindur për këtë pasuri të pazëvendesueshme?  Ua bej këtë pyetje, pasi në të vërtetë muri i mbetur i kësaj kishe prej shume dekadash është shpallur monument historik i kategorisë së parë, ndërkohë që nga ana tjetër rrezikon ta përpijnë ujërat e Bunës! Banorët e zonës më kanë treguar se dikur Buna ka qenë rreth 300 metra larg saj, ndërsa me kalimin e viteve ka ardhur duke gërryer tokën dhe dimrit përmbytej…..!

Se cila ishte situata më parë e këtij objekti, kuptohet qartë nga fotografitë e vjetra të viteve të 1893 të realizuara nga konsulli Austro-Hungarez ne Shkoder, Theodor Ippen. Sipas fotografive dhe përshkrimeve të diplomateve të huaj, Kisha e Shirqit deri në këtë kohë ka qenë pothuajse e plotë,  kuptohet, madje edhe më një çati relativisht të mirë, pasi mendohet se kjo ngrehine ka qenë e ringritur edhe njëherë në fillim të shek..XVIII, kur shënohet dhe rënia  e potencialit të perandorisë osmane. Por vitet në vazhdim, nga moskujdesi i pushtetit dhe gërryerja e lumit Buna, kane bërë që rrënimi të jetë i madh dhe i parikuperueshëm. Ky moskujdes është treguar edhe pas legalizimit të demokracisë në Shqipëri e deri me sot. Edhe ato ndërhyrje te pakta që janë bërë, kanë qenë provizore e të pamjaftueshme, për ta ruajtur murin ballor si një dë0shmi e një historie sa të lavdishme e aq e dhimbshme të populli tonë ! Për të shpëtuar çfarë ka mbetur, nevojitet një studim teknik sa i gjerë aq dhe i thellë, për shkak të pozicionit, buzë lumit Buna e ku uji i furishëm gjatë vjeshtës dhe dimrit për çdo vit gërryen  dheun nga themelet e murit ekzistues, i cili në çdo moment rrezikon të shembet.

Nisur nga rëndësia që ka ky objekt, a gjykoni se është e domosdoshme që Ministria e Kulturës të ngrejë një komision të posaçëm specialistësh të zgjedhur, për ta inspektuar dhe përcaktuar mënyrën se si do të restaurohet, forcohet dhe ruhet, që të garantojë jetëgjatësinë e kësaj dëshmie? 

Objektet e kësaj natyre, nuk i lihen spontanitetit dhe kohës së fushatave, por, duhet analizuar në mënyrë shumë serioze nga specialistet e fushave përkatëse. Gjithashtu, është me rëndësi të theksohet se nevoja që punimet restauruese apo përforcuese të kryhen nga firmat që kanë licencën ndërkombëtare të UNESKO-s apo Bashkësisë Evropiane, me qëllim që cilësia e tyre të jetë sa më i garantuar, dhe t’i shërbejnë jetëgjatësisë së këtij objekti ! Deri sot, edhe kur është ndërhyrë, punimet janë kryer nga  firmat anonime, të cilat bëjnë punën sa për të kaluar kohën, ndërsa kemi të bëjmë me një objekt që konservon 1500 vjet histori në themelet dhe murin e mbetur! Është e një rëndësie të dorës së parë për identitetin tonë, ndaj meriton po rëndësi të dorës së parë për ta ruajtur e trashëguar brez pas brezi!

 

Ju keni hedhur idenë që kjo kishë dhe vendi ku ngrihet, të përshtaten në një mjedis ku të zhvillohen aktivitete të ndryshme kulturore-artistike, nisur edhe nga fakti që nuk është më larg se 20 km nga Shkodra dhe në një mjedis shumë të bukur natyror. Konkretisht, çfarë rekomandoni për konkretizimin e këtij projekti?

Shqipëria me resurset natyrore që ka, është një parajsë turistike në krahasim me vendet fqinje. Ajo ka hapësirën e mrekullueshme natyrore për zhvillimin e turizmit për gjatë gjithë vitit, e jo vetëm gjatë stinës verore që zhvillohet deri tani. Kur është fjala për zonën e Shkodrës, ka vend të bollshëm për turizëm malor, detar e historik e kulturor gjatë gjithë vitit. Monumenti i Shirqit gjendet në udhëkalim nga Shkodra për në detin Adriatik. Lehtësisht mund të ndërtohet një rrugicë pedonale atraktive nga Ura e Bahçallekut për në Dajç, buzë lumit Buna, për biçikleta apo mjete të tjera të lehta ku do shkonin qytetarët apo turistet për ta shijuar atë pjesë të historisë dhe ambientin për rreth e qark, i cili do mund të sistemohej më shije nga specialistet mjedisor. Në një ndër romanët e Ernest Koliqit, flitet për piknikun që është zhvilluar në këtë ambient, në kohën e tij. Pra, kur ka dëshirë të mirë nga Ministria e Kulturës dhe Bashkia, mundësitë janë të shumta për sistemimin e këtij ambienti e kthimin e tij në një mjedis mjaft tërheqës, për zhvillimin e turizmit historik e kulturor. Unë nuk e kuptoj se sa me avashllëk punohet në këtë drejtim, kur janë mundësitë që me pak shpenzime të përshtatet një hapësirë natyrore e mrekullueshme turistike për edukim dhe argëtim!

 

A mund të krijohen probleme tek komuniteti, pasi dihet se dekadat e fundit fshati e ka përdorur oborrin e  kësaj kishe për varreza. Ju keni kërkuar që të hiqen varrezat nga ky vend dhe të caktohet një vend tjetër. A ka mirëkuptim për këtë nga famullia e Dajçit dhe komuniteti, që vërtetë të caktohet një vend tjetër për varrezat e Shirqit? 

Nga moskujdesi i Ministrisë së Kulturës, pas viteve 1990, aty janë shtrirë ndërtimi i disa varrezave si dhe një pjesë e tokës është duke u përdorur nga fshataret e fshatit Shirq. Po kështu edhe monumenti dhe ambienti, pas vitit 2013, është lenë nen kujdesin e vullnetmirëve për tu kujdesur që mos të ndodh ndonjë gjë e padëshiruar. E gjithë kjo neglizhencë ka sjell një heshtje dhe braktisje të këtij objekti historik të popullit tonë. Në bisedimet që kam pasur kohen e fundit më famullitarin e zonës, dom Gjovalin Simonin, dhe fshataret përreth, unë lexoi vullnetin e mirë nga ana e tyre për lirimin e  ambientit nga varrezat. Gjithashtu ata janë të gatshëm të japin edhe ndihmën e tyre në sistemimin e këtij mjedisi dhe ruajtjen e gjithë atij kompleksi kulturorë e historik. Natyrisht, u takon Njësisë Administrative të Dajçit dhe Bashkisë Shkodër, që të bashkëbisedojnë me banorët e këtij fshati dhe të vendosin për tokën që do të shfrytëzohet për varreza në një vend tjetër të përshtatshëm.

Dhe në mbyllje, gjykoni se ia vlen një studim dhe botim i mirëfilltë për këtë objekt, si në gjuhën shqipe ashtu dhe në gjuhë të tjera, pasi botimet e derisotme, si shqiptare ashtu dhe të huaja, janë shumë fragmentare dhe të shpërndara?

Fillohet nga me e thjeshta, por domethënëse! Monumentet historike e kulturore, duhet të shoqërohen me tabela orientuese e shpjeguese në dyja gjuhet. Kjo është e para qe duhet të bëhet.  E gjithë kjo duhet pasohet edhe më një botim dy apo tri gjuhesh të zgjeruar, për historikun e vlerën arkitekturore të këtij objekti. Gjithashtu duhen gjetur mundësitë për regjistrime të ndryshme filmike, sipas projekteve që kanë interes në funksion të trashëgimisë kulturore, historike dhe turistike. Në këtë mënyrë çdo kujt i jepet mundësia që librin dhe dvd. t’i kenë në shtëpitë e veta. Këto lloj veprimesh ndërmerren në të gjitha shtetet që duan të kenë një turizëm të shëndoshë e të suksesshëm, dhe në të njëjtën kohë të ruajnë e afishojnë dëshmitë e pakontestueshme si vlera të identitetit kombëtar. Kisha e Shirqit, me 1500 vite histori në themelet e saj, është një ndër më të paktat dhe ndër më të rëndësishmet që kemi ne si komb, prandaj është obligim i shtetit dhe shoqërisë ta ruajnë me fanatizëm e dashuri këtë dhe të tilla objekte të kësaj natyre, kudo që të jenë në trojet shqiptare!

Përgatiti: Musa Kurtulaj