Një ditë pas protestës, PS e PD vijojnë “betejën” e deklaratave për dhunën

401

Humbje ndjenjash nga gazi lotsjellës, plagosje dhe lëndime të shumta janë shënuar në protestën e pasdites së 13 prillit. Protestues dhe punonjës të medias kanë shfaqur probleme me frymëmarrjen nga gazi lotsjellës dhe uji me presion që hodhi policia gjatë tubimit. Një qytetare dhe një gazetare humbën ndjenjat nga asfiksia. Të ndihmuara nga ish-deputetët e opozitës, ato u dërguan me ambulancë në spital, tashmë jashtë çdo rreziku.

Ndërkohë, nga përplasja mes policisë dhe protestuesve janë plagosur qytetarë dhe efektive. Partia Demokratike, përmes fotove të sjella nga urgjenca e Spitalit të Traumës, denoncoi dhunën mbi protestuesit, ku njëri prej tyre, veç plagëve, ishte edhe me pranga në shtrat.

Nga ana tjetër, përfaqësues të Qeverisë publikuan fotot dhe vizitat pranë punonjësve të policisë që ndodheshin të plagosur në spital. Ministri i Brendshëm dënoi dhunën ndaj policëve në detyrë.

Burime zyrtare nga Spitali i Traumës bëjnë të ditur për A2 CNN se gjatë protestës së 13 prillit kanë kërkuar ndihmën e urgjencës 7 persona të lënduar. 4 ishin efektivë policie dhe 3 protestues, të gjithë kishin lëndime të lehta në kohë dhe gjymtyrë. Mëngjesin e 14 prillit 6 kanë lënë spitalin, ndërsa një protestues me lëndime më të shumta në kokë dhe këmbë, po mbahet për ekzaminime të tjera.