ME RAMËN E PA RAMËN, ME BASHËN E PA BASHËN, ME ZGJEDHJE E PA ZGJEDHJE, JO MË KANABIS!

544

Nga Prelë MILANI

Pas këtyre shirave të shumë, papritur vera polli dy javë para Shën Gjergjit, i njohur si shenjtori i i stinës më të dashur të njerëzisë. Vera erdhi e mirëpritur e krahëhapur . Ardhësh e bardhë dhe e shkretë pa bimën më të re, e më të shemtuar të florës shqiptare . Stina e ” arit të blertë “ kurrë mos lulëzoftë më ! Sahara u bëftë për të toka shqiptare! Mallkuar në jetë të jetëve katili që e pjellë këtë kolerë të përbotshme që dehu e marrosi Shqipërinë e mjerë djathtas e majtas nga koka te këmbët duke e zbuluar kultivatorin më pjellor të Evropës hashashpirëse, e cila monstrubon ditën për diell për vete dhe na bën moral:- Çfarë bëni ju, ore të marrosur shqiptarë?!
Duke mos pasur durim të dëgjoj retorikat hipokrite politike për virgjëri kur secila palë ashtë palluar publikisht me hashashin .
Duke mos pasur durim të bej klasifikimin e rajonizimit gjeografik, pasi nuk ka fshat as krahinë që nuk është dhjerë e pshurrë në brekë përpara hashashit të harbuar shqiptar
Dua të ndalëm atje ku më dhemb më shumë te DUKAGJINI IM –NDERI I KOMBIT .
Atje në çatinë më verore të bjeshkëve tona gjendet gjymtyra me karakteristike e kombit artikuluar udobisht nga studiuesit si trajta shoqërore partikulare .Atje ku siç thoshte Koliqi ynë ;-‘’Nuk shkeli këmbë tjetër veç asaj të mbathur me çorape dhe opinga malësorit’’ .Ato podina të qëndisura me gjelbërim pyjesh e livadhesh të mëndafshta, rrethuar me kordone ka mbi 20 vjet që janë mbuluar nga një re e zezë vampire që ka ulur në gjunjë krenarinë dhe betimin historik.- Unë jam shqiptar dhe Zot në vendin tim! Jetoj si çetina e ngulur në shkëmb në zgrip për një grusht por për dy gisht fytyrë.
Asnjë specie invaduese nuk i ka sjell rrënim më të madh ekonomik Dukagjinit se “Luci Ferri” i veshur me petkun e kamufluar të ” Luci Dritës “
Asnjë sistem politik që “lulëzoi” apo pllakosi këtë krahinë tash 107 vjet ,nuk solli një rrenim moral më të shëmtuar se “ Shën Hashashi” i huazuar pas pos pilafit nga Donkishotë humbës të këtij bixhozi të fëlliqur.
Kryqet e varreve që bëjnë hije mbi kryet e tatave dhe lokeve tona sokolesha , askush nuk i shëmtoi me blasfemi të tillë si paganët e ndërkyer që pushtuan malet më bimën e djallit.
Bjeshkët rrezëllitëse kurorë- kurorë të Dukagjinit, ngjasojnë si bide e pa ujë e mbushur nga jashtë qitjet e neveritshme të çakenjëve të opiumit.
Më trishtim konstatoj se parandalimi dhe lufta kundër kanabisit i delegohet dhe pritet si mrekulli e policisë. Pjesa e madhe e policisë ka bërë, e vijon të bëjë luftë trimërore dhe sakrifica të larta në këtë luftë të gjatë në çdo sitë. Fatkeqësisht ka pas raste që edhe punonjës e drejtues policie i kanë zhytur duart në këtë hale, por ata nuk përfaqësojnë policinë e shtetit, por askaridet e korrupsionit që ka ngjyrën e zezë që emrin dhe mbiemrin e atij që shkon në shtratin e tij dhe çdo polic të botes ka të tillë.
Vitet 2017-të e 2018-të kanë qenë vitet e një luftë të fituar ndaj kanabisit në Dukagjin Shkodër dhe në shkallë vendi. Ata që mendojnë se polica mund të humbë fitoret e arritura gabohet rendë. Më Ramën e pa Ramën, me Bashën e pa Bashën, me zgjedhje e pa zgjedhje kanabisi do vijoje të luftohet pa kompromis. Ju që e mbani gjarprin kulaç në gji u këshilloj hiqeni fluturim pasi sa te nxehet koha do ju kafshojnë të parët ju që iu bëtë strehë. Ju që farën e keqe e keni hedhur në kubikë dhe e mbani të fshehur birave, do t’ua hajë dreqi para se ta mbjellni në ugar . Ju që mendoni se do rrisni dreqin në djep mos u lodhni, mos u shpenzoni se nuk do ta korrni! Edhe po u korr ndopak, nuk do e shini as nuk do e çoni në mulli pa shkuar atje ku do hani bukë falë.