Braçe: Nuk negociojmë qeverinë. Kritikëve në PS u përgjigjem në forumet e partisë

562

Zëvendëskryeministri Erjon Braçe shprehet se legjitimiti i qeverisë “Rama” nuk mund të negociohet. Në një intervistë për televizionin “A2 CNN”, Braçe thotë se ndërkombëtarët i kanë dhënë të drejtë Qeverisë.

Ai shton se vizita e zyrtarëve të Departamentit Amerikan të Shtetit nuk do të sjellë surpriza. “Ndërkombëtarët kanë qenë shumë të qartë deri tani. Në të gjitha deklaratat si nga Brukseli, po ashtu edhe nga Uashingtoni, por edhe nga Berlini, është bërë shumë e qartë, që Parlamenti dhe mazhoranca janë legjitime, të dala nga një palë zgjedhje të certifikuara ndërkombëtarisht. Në krahun tjetër edhe qeveria është legjitime, në raport me ato zgjedhje që janë kryer në vitin 2017-të. Thënë këtë, unë mendoj se këto dy elementë të rëndësishëm janë të padiskutueshëm, të panegociueshëm”,- deklaroi Erion Braçe.

Por si i përgjigjet zëvendëskryeministri për zërat kritikë brenda partisë? “Kolegëve të mi, shokëve të mi, u përgjigjem ose me dialogoj, këmbej mendime, vetëm në forumet e Partisë Socialiste”,- tha Braçe.

Javën e fundit kanë qenë disa zëra brenda radhëve të mazhorancës, kundër qasjes së qeverisë jo vetëm ndaj opozitës, por dhe ligjeve që ajo sjell në Kuvend.