Lleshaj i jep “Medaljen e Nderit” efektives Ina Nuka

520

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj i ka akorduar “Medaljen e Nderit” punonjëses së policisë Ina Nuka, e cila u plagos gjatë protestave të opozitës të 22 nëntorit 2018, përpara selisë së Kuvendit.

Në një ceremoni ku ishin të pranishëm drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit dhe disa kolegë të repartit “Shqiponja”, ministri Lleshaj shprehu vlerësimin e tij dhe Policisë së Shtetit për kurajën dhe përkushtimin e treguar nga Nuka.

“Dua ta shfrytëzoj këtë moment për t’ju falënderuar ju, Ina, për kontributin e dhënë, për modelin e mirë që keni treguar, për angazhimin tuaj në shërbim të qytetarëve, ndonëse nga qytetarë të papërgjegjshëm keni pësuar një dëm që shpresoj të jetë reduktuar tashmë me kalimin e kohës. E kam thënë dhe herë të tjera, që ndjehemi mirë që kemi oficerë policie të tillë që kanë përkushtim, kanë patriotizëm, kanë kurajë, kanë profesionalizëm dhe për këtë arsye kam vendosur që në shenjë mirënjohje t’ju akordojë një “Medaljen e Nderit” të Ministrit të Brendshëm, duke ju thënë që përmes saj shpreh gjithë konsideratat dhe vlerësimin tim si ministër i Brendshëm, por edhe të Ministrisë së Brendshme dhe të gjithë Policisë së Shtetit, për angazhimin tuaj”.

Nga ana tjetër efektivja Nuka u shpreh se ndihej e nderuar për vlerësimin e treguar dhe shtoi se ëndrra vijon të jetë Policia e Shtetit, krah kolegëve.