Mali i Munellës në Pukë të shpallet zonë e mbrojtur

444

Ministri i Mjedisit, Blendi Klosi zhvilloi një takim këtë të martë me banorë dhe ekspertë të zonave të mbrojtura në fshatin Gjegjan të Pukës.

Në këtë takim ministri Klosi prezantoi propozimin për shpalljen e malit të Munellës si zonë të mbrojtur.

“Ne vijmë vetë këtu me njerëzit, dëgjojmë çfarë mendojnë njerëzit, dëgjojmë cfarë perspektive ka zona në sytë e vetë banorëve të zonës, dhe pastaj marrim një vendim që natyrisht do të kalojë në qeverinë shqiptare, por që është një vendim që ndikon drejtpërsedrejt në jetën e banorëve të këtij komuniteti. Pra, mendoj që është shumë e rëndësishme që ne të ndajmë sot një shqetësim shumë të madh. Do ta lëmë që të vazhdojë erozioni, të vazhdojë shpyllëzimi i zonës dhe të vazhdojmë të jemi indiferentë apo të pavëmendshëm karshi shkatërrimit të një prej pasurive më të mëdha kombëtare që kemi në zonën pyjore të vendit apo të gjithë së bashku, institucionet lokale, komuniteti dhe ne institucionet shtetërore do bëjmë një veprim që do të çojë në një drejtim tjetër”,

tha ministri Klosi.

Sipas ministrit, zonat e mbrojtura jo vetëm ruajnë dhe trashëgojnë vlerat natyrore karakteristike por edhe sepse janë atraksionet më të vizituara nga turistët e huaj.

“E para, do të ketë rregulla shumë të forta për menaxhimin e zonës së mbrojtur. Nuk mund të kemi sukses në turizëm në qoftë se e kemi vetëm në det dhe rërë. Ne na duhet të bëjmë atë që e kanë bërë shtetet e tjera që kanë turizëm 12 mujor. Po të shikosh numrin e turistëve që shkojnë në Austri në të 12 muajt e vitit ka pothuajse të njëjtin numër turistësh. Në qoftë se ne do të mendojmë që Shqipëria duhet të transformohet në një destinacion turistik, ku më mirë sesa këtu në pyllin e Munellës, në të katër bashkitë e marra së bashku, duke shtuar pyjet, duke shtuar arsyet për të ardhur dhe për ta vizituar, duke shtuar agroturizmin, ne mund të kemi turistë gjatë gjithë vitit. Arma më e fortë është bindja e komunitetit që kjo zonë me pasuritë që ka të mund të shndërrohet në një ekonomi dhe burim jetese”.