Nëse do më jepej mundësia, do isha në parlament të flisja kundër këtij teatri politik

421

Dorëzimi i mandateve nga PD-ja dhe LSI-ja i hapi rrugën futjes në parlament të emrave të rinj nga listat e dy partive.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të hënën pritet që tu japë mandatet edhe disa kandidatëve të tjerë që kanë dorëzuar formularin e dekriminalizimit.

Ndërkohë pritet që një pjesë e vendeve të lëna bosh në parlament do të plotësohet, por sërish kriza politike mbetet një fakt i pamohueshem.

Për të diskutuar në lidhje me situatën në të cilën ndodhet vendi ynë kohët e fundit, në edicionin qendror të lajmeve në Vizion Plus ka qenë, ish kryetar i partisë sfida dhe një qytetar i angazhuar Gjergj Bojaxhi.

Zoti Bojaxhi cili do të ishte qëndrimi i “Sfidës” nëse kësaj partie do ti vinte radha për të marrë mandat deputeti, ju vete do ta pranonit?

Kam përshtypjen se në bazë të rregullave të kushtetutës dhe të kodit zgjedhor njjë parti që nuk e ka kaluar pragun e 3% nuk mund të hyjë në parlament, në çfarëdolloj skenari, kështu që në këtë këndveshtrim pyetja mbetet hipotetike. Çdo mandat i cili do të ishte brenda normave kushtetuese dhe do të më jepte mundësinë mua që të isha brenda në parlament dhe të flisja kunder këtij teatri politik të atyre partive që janë sot në pushtet dhe që pretendojnë që janë opozitare.

Ju e konsideroni të drejtë vendimin, e atyre që kanë pasuar listat e partive kryesore PD dhe LSI-së, të cilët pas djegies së mandateve nga pjesa e parë e listës kanë pranuar për të qenë në parlament?

Kam përshtypjen se janë vendime individuale pasi përderisa partitë përkatëse kanë marrë një vendim kolektiv, si të thuash është detyra e të gjithë këtyre që pranojnë mandatet të bëjnë një argumentim dhe një artikulim publik pse është më e moralshme dhe më në interes të shoqërisë që këta individ që kanë qenë në listat e partive si të PD-se dhe të LSI-së të vazhdojnë të përfaqësojnë këto parti në parlament. Dhe nuk mund ti fusim të gjithë në një kategori, pasi disa prej tyre mund të kenë një qëndrim shumë të moralshëm në këtë që po mbajnë, por që duhet të dimë historinë e tyre morale, dhe disa të tjerë mbase e kanë edhe në interes mediokers për të marrë një rrogë të mirë dhe nuk kanë ndonjë interes parimor në lidhje me këtë çështje.

Si e gjykoni refuzimin e PD-së dhe LSI-së për tu ulur në dialog me Ramën dhe për të mos pranuar një qeveri ku ai të jetë kryeministër?

E para është se vetëm partitë që janë pjesë dhe e kanë ndërtuar këtë sistem politik mund të bëjnë veprime të tilla, por nëse partitë do të ishin të qytetarëve nuk do ta bënin kurrë një veprim të tillë. E dyta nuk jam i sigurt që këto nëse PD-LSI do të ishte mirë të bisedonin me PS ose jo sepse do të kishim thjeshtë tre palë hajdutësh që do të bisedonin me njëri tjetrin dhe jam i bindur se çfarëdolloj marrëveshje që do të bënin do ta bënin në kurriz të qytetarëve dhe jo në interes të tyre.

Unë mendoj se sado të përpiqemi që të gjejmë zgjidhje teknike jo ndryshim të kodit zgjedhor etj, mendoj se e vetmja zgjidhje është që qytetarët në votë të ndërtojnë alternativa ndryshe te politika që kanë. Ne te Sfida e provuam para dy vitesh ku qytetarët nuk na e dhanë votëbesimin që ne ta vijonim këtë por jam i bindur që në shoqërinë shqiptare ka elementë dhe individë që ndihen të papërfaqësuar, ndihen të abuzuar.

Do ta zgjidhin situatën ndryshimet në kodin zgjedhor apo mjafton vullneti i këtyre forcave politike që janë për të pasur zgjedhje të lira, të ndershme dhe me standarte në Shqipëri?

Unë mendoj se gjithmonë mund të bëjme përmirësime të kodit zgjedhor, por mendoj se ndryshimet do të vijnë vetëm kur një segment minimal, i shoqërisë të kërkonte me votë që të bënte ndryshim dhe ne këtë deri më tani nuk e kemi parë. Unë mendoj se këto parti politike administrojnë procesin politik, zgjedhor dhe çdo gjë dhe të dali një palë të mbrojë rendin kushtetues dhe pala tjetër të thotë që ky rend është i prishur sepse unë vetë spo arrij të marr një karrige me rregullat që unë i kam shkruar vetë, unë nuk mendoj se opozita është alternativë për qytetarët shqiptarë. Nuk mendoj që edhe vetë militantët e PS-së të argumentojnë se Rama është njeri i ndershëm, ajo që argumentohet është se Rama është kshu por jo më ndryshe është Luli me Monikën. Mendoj se për aq kohë këto parti nuk lejojnë ndërtimin e alternativave të reja politike, mendoj se qytetarët shqiptarë do të ngelen në dilemën se kë dhunues do të zgjedhë dhe në këtë rast ne kemi një dhunues të madh që ka zaptuar pushtetin dhe disa të vegjël të cilët po mblidhen bashkë dhe po thonë se sdo ju dhunojë më një njeri por do ju dhunojmë në grup.

Përse ndërkombetarët janë pozicionuar kundër kërkesave të opozitës për një qeveri tranziore dhe zgjedhje të parakohshme, si e shikoni ju këtë qëndrim ?

Unë mendoj se është e drejta e çdo partie politike që të vendosë se si do të bëjë opozitë, nëse marrim që dy tre partitë kryesore duan që ta bëjnë opozitën në rrugë dhe jo në parlament është e drejta e tyre, por ajo që unë nuk e shikoj nomrale është që dalin dhe thonë ne duam të futemi në garë. Por në kët rast nuk duam të garojmë me Ramën, ai duhet të ikë nga fusha. Unë mendoj se Rama duhet të ikë nga fusha por me votë, nuk mendoj se është kërkesë legjitime aq më tepër e arsyeshme që theksojnë se unë jam i gatshëm që të futem në garë por jo me personin që kam përballë. Kë do kesh përballë e kanë vendosur një segment i shoqërisë që kanë mbështetur në këtë rast PS-në dhe fatkeqësisht atë kryeministër që ne kemi sot.