Rikthehet Ajaksi legjendar, shpartallon Realin në Santiago Bernabeu

441

Ajaksi bën historinë. Jo vetëm që holandezët shpartallojnë me rezultatin 1-4 Real Madridin në tempullin e futbollit botëror, “Santiago Bernabeu”, por i jep ekipit që deri vitin e kaluar cilësohej si “Galacticos” një leksion loje që nuk do të harrojnë për shumë kohë.

Dominimi në lojë dhe në qartësi teknike tregohet që në minutat e para, kur Hakim Ziyech në minutën e 7 dhe David Neres në të 18-ën surprizojnë djemtë e Solarit.

Pjesa e dytë sheh Realin që kërkon golin që do të çonte gjithçka në barazim, por në fakt janë sërish holandezët që godasin me një gol në kundërsulm, të finalizuar në mënyrë të përsosur nga serbi Dusan Tadic në minutën e 62-të. Goli priti disa minuta para se të festohej, për një dalje të topit në fillim të aksionit që edhe me sistemin VAR la më shumëse një dyshim.

Kur gjithçka dukej e humbur talenti i Asensios arrin të shkëlqej edhe në një natë makthi si kjo për Blancos. Goli në minutën ’72 mund të rihapë lojën, por jo me Realin e sotëm, i cili dy minuta më vonë braktis përfundimisht skenën e Champions, me goditjen e dënimit të veteranit danezit Lasse Schoene, i ndihmuar edhe nga një llogaritje të gabuar në pozicionim të portierit Courtois.

Ndeshja faktikisht mbaron aty, edhe pse Reali dhe Ajaksi gabojnë raste të shumta.

Është hera e parë që një ekip arrin të përmbysë në Champions një rezultat 1-2 në shtëpi. Ajaksi ia doli, ndërsa mbretëria e Realit në Champions përfundon sonte, pas një jave “horror” ku Blancos humbën dy herë edhe nga rivalët e përjetshëm të Barcelonës.

Në ndeshjen tjetër, mrekullia nuk i doli dot gjermanëve të Borussia Dortmund, e cila madje u mund për të dytën herë nga anglezët e Tottenham falë golit të “bomberit” Harry Kane në fillim të pjesës së dytë.