Diaspora pa Mëmëdhe!

482

Që nga rilindasit e vjetër, shqiptarët e diasporës në dy shekujt e fundit kanë kontribuar dhe po kontribuojnë pareshtur për ruajtjen dhe konsolidimin e identititetit shqiptar. Rilindasit e vjetër jo vetem i kënduan me shpirt atdheut, por bënë të mundurën dhe të pamundërën për të krijuar shtetin shqiptar. Edhe shqiptarët e diasporës së sotshme, në rrugën e rilindasve të vjetër, vazhdojnë të kontribuojnë me të gjitha mënyrat për të ruajtur identitetin tonë kombëtar.
Lufta e UÇK-së për çlirimin e Kosovës, nuk do kishte ndodhur apo nuk do të kishte patur suksesin që pati, pa kontributin e diasporës. Kjo është pa dyshim një nga dëshmitë më të gjalla pas krijimit të shtetit shqiptar, që diaspora ishte mbështetja dhe kontributi më i madh për kombin.

Ne, emigrantët shqiptarë, jetojmë me mendje dhe zemër në atdhe, dhe me trup në vendin e huaj. Secili prej nesh ka në qenien e tij dy une, unin shqiptar që na shoqëron në çdo mjedis ku ka shqiptarë dhe flitet shqip, dhe unin e vendit ku jeton çdonjëri, që kërkon gjithmonë integrimin dhe përshtatjen në shoqërinë ku jetojmë. Çdo shqiptar, përpara se të identifikohet me emrin dhe mbiemrin apo besimin fetar, identifikohet me të qenurit shqiptar.
Fatkeqësisht, nëse do t’i hedhim një vështrim marrëdhënieve të diasporës shqiptare me shtetin amë, do të vëmë re një disharmoni, një kontradiktë, mosnjohje dhe mosmirënjohje. Diaspora sot ka shtetin amë mbi 100 vjet të vjetër, dhe shtetin e ri në Kosovë, pra dy shtete shqiptare nga një komb. Prej shumë kohësh sundon një mendësi që, diaspora vetëm duhet të sjellë para në vendlindje, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, pastaj problemet e tjera i “rregullojnë vetë” aktorët politikë të Tiranës dhe Prishtinës.

Pra vendlindja, vetëm kërkon të marrë nga diaspora, duke thyer edhe njërin nga ligjet thelbësore për funksionimin e shoqërive, atë të reciprocitetit, të marrjes dhe të dhënies.
Ne, emigrantët shqiptarë, jemi pjesë e kombit, dhe angazhohemi e mendojmë për kombin ndoshta më shumë se ata të ashtuquajtur politikanë në Tiranë dhe Prishtinë që mendojnë vetëm për xhepat e tyre, sepse të jetuarit jashtë atdheut e forcon edhe më shumë ndjenjën e përgjegjësisë karshi kombit. Para disa kohësh, një grup iniciues nga diaspora, jo vetëm nga Gjermania por dhe shumë shtete të tjera me në krye zotin Ragip Rama, u prezantua me një projekt tepër të nevojshëm për ngritjen e një kanali televiziv për diasporën, ku do pasqyrohej veprimtaria, puna, bizneset, shkolla dhe e gjithë jeta socialkulturore e diasporës.

Ky projekt u prezantua në Prishtinë dhe u mirëprit si nga kryeministri, ashtu edhe nga parlamenti, partitë politike e grupet e tjera të interesit. Ky projekt ishte parashikuar të prezantohej edhe në Tiranë tek Ministria e Diaspores, por fatkeqësisht, ministri i diasporës zoti Majko, nuk paraqiti asnjë interes, madje edhe një takim i bërë u refuzua pa dhënë asnjë arsye momentet e fundit. Megjithëse ngritja e kanalit televiziv për diasporën në një perspektivë të afërt nuk do të realizohet, me justifikimin se nuk ka mjete financiare, qeveria e Prishtinës është në kuptimin pozitiv më e ndjeshme karshi diasporës, sesa qeveria që prezantohet sot duke keqpërdorur emrin e madh Rilindje.

Është fakt që këto ditë në Tiranë është duke u zhvilluar samiti i diasporës organizuar nga Rilindja famëkeqe, por ky është vetëm makiazh apo Operation plastik, që qeveria ndërmerr për të zbukuruar vetveten. Këtu qeveria ka ftuar kryesisht biznesmenë (dihet se pse!) apo persona që simpatizojnë dhe kanë lidhje apo mbështesin strukturat mafioze kommuniste shqiptare të përbëra nga bijtë e nipërit e nomenklaturës. Fakti më domethënës i këtij samiti dështak dhe i dështimit të qeverisë, është mospjesëmarrja e shoqatës Vatra në të. Ky samit i cili për nga përbërja e tij i përngjan më tepër një kongresi PPSH-je, është i predestinuar të dështojë në qëllimin e tij, sepse duke moslejuar shumëllojshmërinë e mendimeve, kontribuon më tepër në përçarjen e diasporës sesa unifikimin e saj. Pavarësisht show-t mediatiko-politik që bën qeveria e sprovuar Rama, edhe këtë herë nuk shfrytëzohet mundësia për të krijuar premisat për të afruar me gjithë zemër diasporën e vërtetë, ata shqiptarë të cilëve mendja dhe zemra u rri tek mëmëdheu.

Nga Eduart Kaca, Dyseldorf