KQZ nuk pranon dorëheqjet e opozitës

498

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mban pezull dorëheqjet e opozitës, duke e kaluar edhe njëhere topin në fushën e kuvendit. A2 CNN mëson se mospranimi i 56 dorëheqjeve të deputetëve të opozitës së bashkuar vjen për shkak të formulimit të dokumentit që Kuvendi i Shqipërisë i ka dërguar KQZ-së për secilin nga ligjvënësit e dorëhequr.

Në dokument specifikohet vetëm kalimi për kompetencë drejt KQZ për dorëheqjen nga mandatet, por mungon shpallja e vakancës.

Nisur nga ky teknikalitet i pa ndodhur më parë, paraditen e sotme Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka nisur Kuvendit një shkresë zyrtare, ku kërkon informacion. A2 CNN zbardh përmbajtjen e letrës, në të cilën thuhet se: “Përmbajtja e saj është e ndryshme nga letrat që janë dërguar gjithmonë, në raste të njëjta. Për këtë, kërkohet sqarim lidhur me vakancat që krijojnë 56 deputetët, pavarësisht faktit se ata e kanë bërë publike dhe zyrtare dorëheqjen e tyre”.

Pra, pa nisur punën KQZ me dorëheqjet, nuk mund të vijojë puna për t’i dhënë mandatin kandidatëve të tjerë ne listat e partive përkatëse. Për këta të fundit, burimet nga KQZ i thanë A2 CNN se nuk mund të pranojnë dorëheqje paraprake, pa iu dhënë më parë ligjërisht mandati i deputetit.

Vetëm në momentin e konstatimit të vakancës, dhe dhënien e mandatit të deputetit, kandidatët kanë të drejtën e refuzimit.