PD e përjashtoi nga radhët, ja çfarë thotë Myslim Murrizi

445

Kryesia e Partisë Demokratike mori pak minuta më parë vendimin për përjashtimin nga radhët e saj të deputetit të Lushnjës, Myslim Murrizi, që doli kundër vendimit për djegien e mandatit të deputetit.

I pyetur nga Opinion.al, Murrizi tha se ky është një vendim që e priste, dhe nuk ishte i pari që ndërrmerrej ndaj tij.

Murrizi tha se nuk pret tjetër qasje, kur ky vendim merret sipas tij nga katër drejtues të cilët janë ish-bij komunistësh.

“Nuk është hera e parë që merret një vendim i tillë ndaj meje. Kjo është frymë e partisë të lidhur me Sigurimin, që sillen në këtë formë kur nuk u vjen pas avazit. Pse nuk u mor një vendim i tillë për Mesila Dodën dhe Shpëtim Idrizin që morën votat e demokratëve në vitin 2013. Unë nuk pres tjetër vendim nga katër ish bij sekretarësh komunistë”, tha Murrizi.

I pyetur nëse do të jetë në parlament në vazhdim dhe në çfarë sigle, Murrizi tha se: “Unë do jem aty si përfaqësues i elektoratit tim dhe i studentëve të dhjetorit që u ngritën dhe thanë e duam Shqipërinë si Evropa dhe Amerika”/ Opinion.al