Në KLSH duhet të konkurrojnë figura të pastra

636

Rushan Nano është një figurë jashtë politikës, që kandidon për postin e kryetarit të KLSH. Ai tregon arsyet se pse ka zgjedhur të garojë përballë figurave të “fuqishme” politike, që sipas tij, nuk e sfidojnë sepse për këtë post vlen përvoja dhe ndershmëria në menaxhimin e të ardhurave publike

“Nuk jam angazhuar në asnjë parti politike”, deklaron Rushan Nano, i cili garon për postin e KLSH-së, përballë figurave të ndryshme politike. Ai e konsideron vetën të denjë për këtë post, pikërisht sepse nuk ka asnjë mbështetje politike, përveç përvojës së gjatë 35 vjeçare në kontrollin e auditimit financiar, një kontribut që dëshiron ta vazhdojë në drejtimin e KLSH-së.

Intervista e plotë:

Nano, deri tani kemi mësuar vetëm emrin tuaj të ekspozuar në listën e kandidatëve të nominuar për pozicionin e Kreut të LKSH-së. Na fol pak për veten…

Së pari, dua të them se mbiemri im nuk ka lidhje me atë të ish-kryeministrit Nano, se përndryshe do të isha katapultuar me kohë në atë pozicion apo ndonjë tjetër…(qesh) Kam përfunduar studimet e larta pranë Universitetit të Tiranës, në Fakultetin Ekonomik, dega Financë në vitin 1984. Në vijim kam pasur fatin e mundësinë që të punoj në profesion për gati 35-vjet. Fillimisht Revizor në ish-ndërmarrje shtetërore, shef i seksionit kontroll-revizioni, në ish-Komitetin Ekzekutiv të KPR, e më pas Audit në Kompani Patentë Shtetërore e aktualisht privat. Përvojat e fituara në vendet e punës që kam ushtruar deri tani e sidomos ato në kompanitë private më kanë bërë të ndjehem i fortë për t’ia dalë me sukses çdo detyre drejtuese që mund të më besohet e sidomos për këtë të cilën jam nominuar.

Pozicioni i Kreut të KLSH-së, është niveli më i lartë i Auditimit në vend. A mendoni se mund ta bëni një hap të kaq të madh?

Po, mendoj se është hapi i duhur, momenti i duhur dhe se jam personi i duhur për të drejtuar KLSH-në, kjo falë përvojës time 35-vjeçare duke kaluar nëpër të gjitha hapat e duhur të kontrollit-auditimit financiar. Me respektin maksimal për konkurrentet e tjerë, dëshiroj e shpresoj për transparencë të figurës profesionale e morale për këtë ambicie dhe në fund të përzgjidhet më i miri, duke u mbështetur te CV-ja, te pastërtia e figurës e jo nga emri dhe postet drejtuese që mund të ketë patur secili.

Në listën e nominuar ka disa emra të njohur të politikës shqiptare, dhe që kanë ushtruar detyra të larta shtetërore. A mendoni se jeni i disfavorizuar përballë tyre?

Jo, përkundrazi ndjehem mirë përballë tyre, kjo duke patur parasysh edhe zgjedhjet e reja në organet e larta të gjyqësorit ku kemi emra juristësh të panjohur ose pak të njohur më parë nga masa, e çka është më kryesorja të palakuar. Përsa u përket emrave të njohur në listë mendoj se është dhe “kontributi i tyre” në çdo hallkë të vendimmarrjes ku ata kanë patur akses që ekonomia jonë është në këtë gjendje. Në këtë kontekst ata janë të disfavorizuar!

A mendoni se është i paravendosur emri i personit për këtë post, apo do të shkohet deri te më i merituari?

Nuk e besoj të ketë një emër unanim për drejtues të KLSH-së, pavarësisht dëshirave të njërit apo tjetrit. Ambicia ime mori guxim nga reformat e fundit ligjore në vend, të cilat më bënë të besoj në një garë transparente e të ndershme. Nuk e mendoj zhgënjimin për këtë proces. Duke qenë se deri më sot nuk jam angazhuar në asnjë parti politike dhe nuk kam mbështetje direkte as nga e djathta e as nga e majta, kam bindjen se do të jem i pranueshëm nga të dyja palët, pasi në CV-në time nuk ka asnjë cen. Mbi të gjitha, kam një profesion që më pëlqen, kam vërtetuar deri tani që këtë punë di ta bëj mirë, pa u amplifikuar me krahët e politikës.

Flitet se për këtë post, kanë shprehur interes eksponentë të lartë të mazhorancës dhe deputetë. Sipas jush, kjo është një sakrificë e mandatit të deputetit për të rregulluar punët e Shqipërisë apo mos mundësi përfitimi?

Shprehja “interes” tregon vlerësim. Por nga përvoja ime në këtë profesion ke vetëm sadisfaksionin e ekzekutimit të ligjit. Deri tani s’kam parë gjë e s’besoj se është vend pune përfitimi. Nuk di çfarë të them për ta, nuk besoj se mund të kenë më shumë përfitim atje sesa si deputet, ministër etj. Mbase duan të provojnë diçka ndryshe ose të lodhur nga politika kërkojnë të mënjanohen disi prej saj, por duke vazhduar karrierën në një nga postet kyçe.

Interviste nga Lindita BUSHGJOKAJ

Shekulli.com.al